Fjalë Kyçe

Haradinaj pas Bektel-Enkës, shpërblen edhe Limak-un

Haradinaj pas Bektel-Enkës, shpërblen edhe Limak-un

Gati një miliard euro të taksapaguesve kosovarë janë zhvatur nëpërmjet projekteve të qeverisë së vendit. Kështu thotë, në një shkrim në rrjetin social Facebook, në internet, ekonomisti Hekuran Murati, pas një llogaritjeje që ka bërë.

Murati ka sulmuar kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, i cili ditë më parë u xhirua duke kënduar, në një mbrëmje të organizuar për pritjen e arbëreshëve të Italisë.

“Pse mos me knu?!”, është pyetja, me të cilën ekonomisti ka nisur shkrimin e tij. “Kur i sheh njeri tan’ kto pare, ja nise me menu qe edhe zani po te shkon”, është shprehur Murati.

Ai ka kujtuar se 500 milionë euro janë ndarë për shpronësime për ndërtimin e autostradës Istog-Prizren, me kosto prej 1.1 miliard eurosh.

Ka përmendur se vlera e kontratës me ‘Contour Global’ është ndryshuar nga 1 miliard në 1.3 miliard euro. Murati ka kujtuar, edhe gjobën prej 53 milionë eurosh që shteti i ka paguar ‘Bechtel-Enka’ për vonesë në pagesa.

Ai ka përmendur, ndër të tjera, edhe 34 milionë eurot që iu dhanë ‘Limak’, koncesionarit të aeroportit të Prishtinës, në emër të zgjatjes së pistës.