Fjalë Kyçe

Haradinaj pas takimit me zyrtarët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë, vetëm në kufijtë aktualë

Haradinaj pas takimit me zyrtarët amerikanë: Marrëveshja me Serbinë, vetëm në kufijtë aktualë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, së bashku me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryeministri Haradinaj në takim ka theksuar se Republika e Kosovës është e angazhuar në mënyrë të pakthyeshme për të forcuar demokracinë dhe institucionet e saj, njofton kumtesa.

“Kosova është e gatshme për marrëveshje ligjërisht obliguese që rezulton me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe Kosovën e 17 Shkurtit 2008. Poashtu, është e gatshme për marrjen e të drejtave dhe detyrimeve të anëtarësimit në NATO, Kombet e Bashkuara, BE dhe organizatat tjera ndërkombëtare dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova është e vendosur për tregti të lirë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse ligjërisht obliguese do të përfshijë edhe rregullimin e kapitullit të tregtisë së lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Gjithashtu, kryeministri Haradinaj në takim me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, ka theksuar se Kosova mbështetet në vlerat e një shoqërie shumetnike, të bazuar në të drejtat e njeriut për të gjithë qytetarët dhe komunitetet e saj, duke vlerësuar se Kosova i mbetet besnik miqësisë së përhershme dhe bashkërendimit të politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Gazeta Alo/