Fjalë Kyçe

Haradinaj: Serbia po vë shantazhe e kushte për vazhdimin e dialogut

Haradinaj: Serbia po vë shantazhe e kushte për vazhdimin e dialogut

Takimet e shpeshta të ditëve të fundit me presidentin Hashim Thaçi, nuk ia kanë ndryshuar qëndrimin për taksën kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai vazhdon të jetë i palëkundur se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe, do të qëndrojë deri në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Haradinaj ka thënë se Serbia po vë shantazhe dhe kushte për vazhdimin e dialogut, e këtë ka thënë se nuk do ta pranojnë.

Kryeministri edhe një herë tjetër ka dalë kundër partnerit në koalicion, PDK-së, kreu i cilës, Kadri Veseli, ka kërkuar pezullimin e taksës për 120 ditë.

Kryeministri ka folur edhe për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë. I ashpër ka qenë për idenë për ndryshim të kufijve.

Kreu i ekzekutivit ka komentuar edhe deklaratën e kryetarit të Mitrovicës së Jugut, se mund të ketë luftë të paparë nëse do të ketë lëvizje të kufijve në Mitrovicë.

Sipas Haradinajt, nuk do të ketë destabilizim të situatës në veri, por ka thënë se e sheh të rrezikshme tregtinë me territore.

Në mbledhjen e Qeverisë, kabineti qeveritar ka miratuar dhënien e statusit të investitorit strategjik kompanisë gjermano-izraelite “SOWI KOSOVO”. Vlera e këtij investimi është rreth 170 milionë euro.

Qeveria ka ndarë 50 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për shërim jashtë vendit të Aritë Sylejmanit.