Fjalë Kyçe

Haradinaj takohet me kryeministrin e Malit të Zi, nuk përmendet Demarkacioni

Haradinaj takohet me kryeministrin e Malit të Zi, nuk përmendet Demarkacioni

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në një takim kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një njoftimi, kryeministri Haradinaj ka thënë se ardhja e kryeministrit Markoviq, i ka dy porosi sot në Kosovë, si, hapja e Qendrës për Zhvillim e Malazezëve në Kosovë, e cila u inaugurua në mëngjes, si porosi që malazezët e Kosovës janë në shtëpinë e tyre në Kosovë dhe do ta kenë përkrahjen e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe, është inaugurimi i autorrugës, që lidh në këtë rast rajonin, lidh

Kosovën me Maqedoninë, por lidh edhe Maqedoninë me Shqipërinë, Maqedoninë me Malin e Zi.
Po sipas njoftimit, kryeministri Haradinaj, gjatë takimit ka biseduar për të gjitha temat bilaterale, duke besuar që marrëdhëniet Kosovë-Mal i Zi do të thellohen edhe më tutje për qëllimet e njëjta euroatlantike.

“Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar homologun malazez për të gjitha zhvillimet e fundit në vend, sundimin e rendit dhe ligjit, progresin ekonomik, infrastrukturor dhe reformat e përgjithshme në vend. Në këtë takim Kryeministri Haradinaj potencoi rëndësinë e madhe që ka bashkëpunimi dhe partneriteti me vendet e rajonit, në të mirë të zhvillimit të këtyre vendeve dhe të ardhmes së përbashkët evropiane”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, siç thuhet tutje, kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova është e përkushtuar që të avancojë me marrëdhënie bilaterale me Malin e Zi edhe në fusha të interesit të përbashkët dhe takimi i sotëm është dëshmi e fortë e këtij orientimi.

“Ndërkaq, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, tha se ka kënaqësinë që me kryeministrin Haradinaj të bisedojë për raportet bilaterale në mes dy shteteve dhe, hapja e Qendrës Zhvillimore, është dëshmi e një miqësie thelbësore dhe të përhershme me Kosovën, si respektim i vlerave të tyre, që janë vlerë e përbashkët euroatlantike dhe multietnike mes dy vendeve”, përfundohet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Por çfarë bie në sy nga ky takim i dy kryeministrave, së paku në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është fakti se nuk përmendet çështja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Ndryshe, pasditen e 21 marsit 2018, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës miratoi demarkimin pas katër herë ndërprerjesh për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga Vetëvendosje.

Procesi i miratimit të demarkacionit zgjati tri vite dhe u paraprijë nga një debat i madh, protesta dhe reagime të shumta nga qytetarë, politikanë dhe ndërkombëtarë.

Liderët e vendit që në atë kohë deklaruan se miratimi i demarkacionit do të sigurojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani.

Dhe menjëherë pasi në Kuvend ishte miratuar Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, kryeministri Ramush Haradinaj në vazhdimësi ishte zotuar se do të ketë rishikim të marrëveshjes, respektivisht rishikim të vijës kufitare me Malin e Zi, gjë që nuk ka ndodhur deri më sot.