Fjalë Kyçe

Haradinaj takon kryeministrin Zaev, diskutojnë për mbledhjen e dy qeverive

Haradinaj takon kryeministrin Zaev, diskutojnë për mbledhjen e dy qeverive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Munich ku po merr pjesë në Konferencën për Siguri, është takuar edhe  me Kryeministrin e Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur vlerësimin e lartë për procesin e anëtarësimit të fqinjit tonë jugor në NATO dhe ka përgëzuar kryeministrin Zaev për një integrim të shpejt të vendit të tij në strukturat e sigurisë së NATO-s, që janë të dobishme edhe për paqen dhe sigurinë në rajon.

Kosova dhe Maqedonia Veriore janë vende që kultivojnë raporte të mira fqinjësore dhe bashkëpunim në të gjitha fushat, ka theksuar kryeministri Ramush Haradinaj dhe ka shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen.

Qeveritë e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë duke punuar në përgatitjen e mbledhjes së përbashkët ku do të identifikohen të gjitha fushat e interesit të përbashkët për bashkëpunim dhe me qëllim të krijimit të ambientit paqësor dhe stabil për zhvillim dhe ngritje të mirëqenies për qytetarët e vendeve tona.

Kryeministri i Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, ka shprehur angazhimin e tij për të ndërtuar marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën dhe për të ndërtuar një klimë të paqes dhe mirëkuptimit në rajon.

Në takim i pranishëm ishte edhe Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli./Gazeta Alo/