Fjalë Kyçe

Haradinaj thotë se ia ka dhënë disa këshilla Kurtit për dialog: Nuk do të qëndrojmë vëzhgues

Haradinaj thotë se ia ka dhënë disa këshilla Kurtit për dialog: Nuk do të qëndrojmë vëzhgues

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministrit Albin Kurti ia ka dhënë disa këshilla për ta menaxhuar procesin e dialogut me Serbinë.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Lipjanit të premten, Haradinaj po ashtu ka bërë të ditur se ka sqaruar edhe pjesët kryesore të marrëveshjes së propozuar Kosovë-Serbi.

“Për nevojën e kujdesit të vazhdueshëm dhe përfshirjes sa më afër të institucioneve të vendit, fola sot para qytetarëve të Lipjanit”, ka shkruar ai në Facebook.

“Gjatë bashkëbisedimit kam sqaruar dhe pjesët kryesore të marrëveshjes së propozuar Kosovë – Serbi dhe për këshillat që i kam dhënë kryeministrit të vendit për menaxhimin sa më të mirë të këtij procesi të rëndësishëm për ne dhe brezat që vijnë”.

I pari i AAK-së tutje është shprehur se arritja e marrëveshjes për njohje reciproke me fqinjin verior, ka marrë dinamikë të re pas angazhimit të shtuar ndërkombëtar.

“Ne nuk do të qëndrojmë vëzhgues ndaj procesit të dialogut, por as përballë krizës së rëndë ekonomike e energjetike dhe paaftësisë së qeverisë për të marrë masat dhe veprimet e duhura, por do të kryejmë me dinjitet rolin tonë opozitar”, ka shkruar tutje Haradinaj.