Fjalë Kyçe

Haradinaj tregon se pse nuk i pëlqen 8 Marsi

Haradinaj tregon se pse nuk i pëlqen 8 Marsi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se nuk ka kujtime të mira për një datë si 8 Marsi, pasi i kujtohet dorëheqja nga posti i kryeministrit në vitin 2005, kur ishte ftuar nga Tribunali i Hagës.

Teksa ka folur në një tubim me qytetarët në Suharekë, kreu i AAK-së ka kujtuar përshëndetjen me ish-presidentin Ibrahim Rugova.

“Këtë ditë e kam edhe një hidhërim. Kur kam shkue në Hagë e jam përshëndet me presidentin Rugova.

Pata dhanë dorëheqje nga posti i kryeministrit”, ka thënë Haradinaj.

Megjithatë sipas tij, 14 vjet më pas, pikërisht në këtë datë ka ndodhur diçka shumë e mirë. Trepça është regjistruar si pronë e Republikës së Kosovës.

“E në këtë ditë është regjistruar Trepça si pronë e Republikës së Kosovës. E drejta e popullit dhe e Zotit është e garantuar. Pra na njerëzit e këtij vendi duhet me i qëndru besnik të drejtës tonë, sepse nuk jemi kundër kërkujtë”, ka shtuar ai.

Kreu i ekzekutivit, ka thënë se Kosova nuk është kundër miqve e fqinjëve.

“Nuk ka mundësi me qenë kundër kojshive, kundër miqve, kundër kërkujt. Ai popull që i qëndron besnik të drejtës vet, nuk mundet me qenë i keq për të tjerët”, ka thënë ndër të tjera.