Fjalë Kyçe

Haradinaj: Vendimi i Qeverisë për pronat e AKP-së është i çuditshëm

Haradinaj: Vendimi i Qeverisë për pronat e AKP-së është i çuditshëm

Qeveria e Kosovës muajin e kaluar shfuqizoi vendimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, të marrë më 2018, që pronat e AKP-së t’u jepeshin në shfrytëzim komunave.

Vendimi i shfuqizuar ka qenë për komunat: Gjilan, Ferizaj, Suharekë, Skenderaj, Deçan, Junik dhe Hani i Elezit.

Haradinaj vendimin e ka quajtur të pjesshëm për shkak se nuk janë përfshirë të gjitha komunat që kanë shfrytëzuar pronat e AKP-së.

Shqetësuese, konsideroi ai, janë privatizimet e fundit të pronave shoqërore nga qeveria.

“Qeveria e ka marrë një vendim të pjesshëm nuk e di si e arsyeton atë qëndrim. Ajo që më shqetëson është një valë e re e privatizimeve dhe po duket që këto janë të ndërlidhura. Kurti ka nxjerrë në privatizim rreth 55 prona shoqërore, nuk e ka deklaruar më herët ndonjë vizion pse i ka nxjerrë në privatizim, apo ndoshta VV-ja do që t’i blejë disa prona apo njerëzit e tyre”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Vendimi i pjesshëm i Kurtit është i çuditshëm, disa i ka prekë dhe disa jo. Është me rëndësi ta sqarojë pse. Krejt logjika e qeverisë është jo drejtuar rritjes ekonomike, kjo qeveri deklarohet me disiplinim”.

Haradinaj ka arsyetuar vendimin që pati marrë ai për pronat si kryeministër.

“Qeveritë kanë një vizion, çdo qeveri e ka, unë kam menduar që komunat janë faktorë i rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe komunave duhet dhënë në posedim prona që ato të jenë për zona ekonomike, treg, ka pasur raste për varrezë ose për projekte të caktuara. Kjo logjikë është e mirë sepse komuna është aty, prona është aty në komunë dhe nuk ka mundësi të bëhet keqpërdorim të atyre pronave sepse janë shoqërore”.

Në konferencë, Haradianaj doli për të njoftuar për procesin e brendshëm zgjedhor të AAK-së ku tha se kanë zgjedhur kryetaren e aleancës së gruas, Diellza Kukan.