Fjalë Kyçe

Haradinja në takim me Hahn, tregon qëndrimin e tij ndaj taksës dhe kërkon liberalizmin e vizave

Haradinja në takim me Hahn, tregon qëndrimin e tij ndaj taksës dhe kërkon liberalizmin e vizave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po qëndron në Mynih, ku po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë.

Shefi i qeverisë kosovare është takuar edhe me Komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kryeministri Haradinaj, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

“Kosova është e përkushtuar që të jetë partnere kredibile e bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë, kur asaj nuk i mohohet e drejta për të vepruar si shtet i pavarur dhe sovran. Këtë ia thashë Komisionerit Evropian për Politika të Fqinjësisë dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn me të cilin pata rastin të diskutoj, së bashku me Zëvendëskryeministrin Pacolli, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të Gjermanisë”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës gjatë takimit me Hahn, ka thënë se tarifat duhet të hiqen, por si kusht është njohja reciproke.

Haradinaj edhe një herë ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Vendi ynë i gëzohet tregut të lirë, jo vetëm mes Kosovës dhe Serbisë, por në të gjithë Ballkanin Perendimorë. I gëzohemi kohës kur nuk do të ketë tarifa, por njëkohësisht respekti dhe njohja reciproke, është parakusht për t’u arritur kjo. Po ashtu, theksova edhe njëherë nevojën e liberalizimit të vizave si një e drejtë që u takon qytetarëve tanë. Rikujtova se Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kushtet dhe padrejtësisht mbetet e izoluar”, përfundon postimi i Haradinajt.

Në Mynih po qëndron gjithashtu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.