Fjalë Kyçe

Haxhi Shala flet për sfidat e formimit të Ushtrisë dhe punën e Gjykatës Speciale

Haxhi Shala flet për sfidat e formimit të Ushtrisë dhe punën e Gjykatës Speciale

Kishte dy sfida kryesore, kërkohej harmonizimi me Kushtetutën e Kosovës dhe me aleatët ndërkombëtare. Vendimet në NATO dhe BE kërkojnë unitet dhe vetëm një pjesë e tyre e kundërshtojnë formimin e Ushtrisë ashtu si Pavarësinë e Kosovës. Gjykata Speciale me punën e saj tani po bënë shantazh. Këto dhe përgjigje të tjera mund t’i merrni në intervistën me deputetin në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala.

Gazeta Alo: Cila ka qenë sfida kryesore gjatë procesit për transformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës në Ushtrinë e Kosovës?

Haxhi Shala: Transformimi i Forcave të Armatosura të Kosovës ka marrë kohë dhe ka qenë sfidë e madhe edhe për deputetët pjesë e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por edhe për deputetët si tërësi të Kuvendit të Kosovës. Pati dy sfida kryesore, e para ishte hartimi i tri projektligjeve në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe e dyta ishte harmonizimi me aleatët ndërkombëtarë. Tek e para, sikur Ushtria të transformohej sipas ndryshimeve kushtetuese ku do të krijohej edhe baza ligjore do të ishte më lehtë, por pasi kjo ishte e pamundur, atëherë rruga me vetëm bazën ligjore mori shumë kohë dhe u nevojit gjatë procesit të ndodhnin mbi 100 ndryshime të amendamenteve. Ishte një sfidë pasi duhej që të shikohej mirë që ligjet të ishin në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës, që askush të mos mund të i kontestojë për shkelje të Kushtetutës. Kjo punë sot na ofron sigurinë që kushdo që dëshiron t’i dërgoj këto ligje në Gjykatën Kushtetuese, ne nuk frikohemi se do të gjendet ndonjë shkelje e Kushtetutës. Sfida e dytë ishte harmonizimi me partnerët ndërkombëtarë, sepse një ushtri pa partneritet me SHBA-në dhe NATO-në nuk i nevojitet Kosovës, pasi ne atje synojmë të jemi. Në moment që aleatët tonë kundërshtojnë Ushtrinë e Kosovës, e gjithë puna është e kotë. Andaj edhe ligjet që kanë mundësuar transformimin e FSK-së në Ushtri, ofrojnë hapësirë të madhe që lejon bashkëpunim me NATO-në dhe aleatët perëndimorë për paqe.

Gazeta Alo: Deklarativisht është dhënë një mos-përkrahje për krijimin e Ushtrisë së Kosovës nga NATO-ja dhe BE-ja, pse ka ndodhur kjo?

Haxhi Shala: Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, paksa është keqkuptuar, pasi që vendimet në këtë organizatë merren në pajtim unitar me të gjitha vendet anëtare. Aty ka pasur kundërshtime nga disa vende të cilat nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe Stoltenbergu nuk ka mundur të thotë diçka kundër unitetit të vendeve anëtare të NATO-së. Edhe sikur vetëm një anëtar i NATO-së të ishte kundër, deklarata e Stoltenbergut do të ishte e njëjtë. Por, shtetet e fuqishme siç është SHBA-ja e cila financon me mbi 80% me buxhet NATO-në, pastaj Britania e Madhe, Turqia, Italia dhe vende të tjera kyçe e kanë përkrahur formimin e Ushtrisë së Kosovës, që janë edhe boshti kryesor i NATO-së.

Gazeta Alo: Bashkimi Evropian së fundmi ka dhënë kritika të ashpra ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës, për taksën e vënë 100% ndaj Serbisë, në anën tjetër vetë BE-ja i mohon qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë dhe shumë shkelje të marrëveshjes së Brukselit nga Serbia kundër Kosovës. Një taksë ndaj vet BE-së e ka vënë edhe SHBA-ja, a ka edhe një luftë mes fuqive të mëdha që po i hakmerret Kosovës?

Haxhi Shala: Edhe në kuadër të BE-së, funksionimi i brendshëm është i ngjashëm me atë të NATO-së, ku kërkohet uniteti dhe shtetet të cilat nuk e kanë njohë Kosovën bëjnë lobime të ndryshme kundër Kosovës së bashku me Serbinë. Andaj, nuk mund të themi që BE-ja po e kundërshton Ushtrinë e Kosovës, por një pjesë e saj nuk e dëshiron forcimin e shtetit të Kosovës. Këtë kundërshtim nuk është që e dëshiron në fund të fundit edhe vetë BE-ja, por për t’i bërë një nder Serbisë për ta mbajtur në rrugën e BE-së dhe për ta larguar nga ajo e Rusisë, bëjnë një qasje të tillë. Sidoqoftë, BE-ja asnjëherë nuk është marrë me pengesat që Serbia ia ka bërë Kosovës që nga viti 1999 e deri më sot. Tani kur Kosova mori hapin e parë si kjo me taksën, menjëherë erdh edhe reagimi, ku siç e ceka për ta mbajtur Serbinë më afër po e ndëshkojnë gjithmonë atë që është më i vogël. Këtu besoj që është ai balanca i këtyre reagimeve nga BE-ja. Por, ne duhet të jemi syçelë në këtë rast dhe me veprime si taksa dhe veprime të tjera reciprociteti të përballemi me Serbinë, si një shtet me një shtet dhe atë që na e bëjnë ata neve, pse nuk duhet edhe ne të ia kthejmë me të njëjtën monedhë.

Gazeta Alo: Së fundmi, ka filluar punën edhe Gjykata Speciale duke thirrur pjesëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht në periudhën ku në pushtet gjenden kushtimisht të themi, i gjithë krahu i luftës, dhe Qeveria ka marrë vendimin për taksë prej 100% ndaj Serbisë, si e komentoni gjithë këtë situatë?

Haxhi Shala: Gjykata Speciale është krijuar nga vetë Kuvendi i Kosovës, por ne kemi privilegjin si Nisma Socialdemokrate që nuk kemi qenë pjesë në krijimin e kësaj gjykate të dëmshme dhe politike të dedikuar vetëm për ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe jo për krime lufte. Fillimi i punës së Gjykatës Speciale në këto momente kur Kosovën po e presin disa vendime të vështira, siç ka qenë ushtria e cila tashmë është kryer, procesi i liberalizimit të vizave, taksa 100% e vënë ndaj importeve të Serbisë dhe kundërshtimet tjera me Serbinë, dhe kjo gjykatë aktivizohet pikërisht në këto momente, tregon qartë se po bëhet një lloj shantazhi ndaj liderëve tanë të cilët njihen si ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe tani përfaqësojnë institucionet e Kosovës. Sidoqoftë, kush e ka menduar këtë shantazh, llogaritë nuk i ka bërë mirë pasi asnjëri prej pjesëtarëve të UÇK-së nuk i frikësohet kësaj Gjykate politike. Ne këtë e shohim si një institucion të dështuar akoma pa e filluar punën. Kam një lutje për gjithë liderët dhe ish-pjesëtarët tjerë që kanë qenë pjesë e UÇK-së, që për asnjë moment të mos frikësohen dhe zmbrapsen në veprimet e tyre pasi qytetarët e Kosovës kanë pritur mjaft.

Gazeta Alo: Tani kemi edhe një rezolutë me parime dhe një ekip të formuar nga Qeveria dhe votuar nga Kuvendi i Kosovës për dialog me Serbinë. I pari i saj Fatmir Limaj çdo herë ka qenë më i ashpër dhe me vija të kuqe për dialogun kundrejt Presidentit Hashim Thaçi. Si do të vazhdoj ky dialog tani e tutje me këtë format të ri?

Haxhi Shala: Ne kemi hyrë në procesin e dialogut dhe ky proces duhet të përfundoj me apo pa neve. Mirëpo, pasi tani ne jemi në Qeveri dhe besimin nga Kuvendi ta udhëheqë e ka marrë zëvendëskryeministri Fatmir Limaj dhe ne si parti kemi jashtëzakonisht shumë besim tek kryetari ynë. Një gjë është e sigurte, që procesi i bisedimeve si ka shkuar deri më tani ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të jetë i njëjti edhe në vazhdim. Z. Limaj do të jetë transparent për qytetarët, gjë që edhe ne si parti ia kërkojmë një gjë të tillë. Pra, z. Limaj duhet që të paraqesë në Kuvend, në Qeveri, para qytetarëve, shoqërisë civile dhe kudo që është e nevojshme çdo gjë që bisedohet në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ekipi është jashtëzakonisht i mirë dhe do të ketë një platformë të qartë për atë se çka dëshirojmë të arrijmë në bisedimet me Serbinë. Me këtë ekip ne jemi një hap përpara Serbisë dhe një hap më afër Bashkimit Evropian

Gazeta Alo: A i bie kjo që deri më tani dialogu ka qenë i dështuar?

Haxhi Shala: Ka diçka që është arrit, nuk mund të themi që gjithçka është e dështuar por shumica e marrëveshjeve janë të dështuara, si ajo për energjinë, ku Serbia vazhdon ilegalisht ta përdorë rrjetin elektrik të Kosovës, duke na shkaktuar rreth 400 milionë euro humbje në vit, dhe shumë marrëveshje tjera.

Gazeta Alo: Pse Lugina e Preshevës nuk u përfshi në rezolutën e Kuvendit të Kosovës?

Haxhi Shala: Kjo rezolutë e Kuvendit është vetëm një bazë për bisedime, dhe nuk mund të përfshihen gjitha detajet, por që kjo nuk do të thotë që nuk do të përfshihet në platformë pastaj. Platforma është vendi ku do të përfshihen edhe shumë detaje si çështja e Luginës, sepse po të futej menjëherë tani do të duhej menjëherë të bisedohej edhe çështja e idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve.

Gazeta Alo: Ju keni qenë pjesë e ekipit hetues nga Kuvendi për çështjen e depërtimit të qytetarëve turq nga Kosova, të ashtuquajturit “gylenista”. Çka është zbuluar nga ky hetim?

Haxhi Shala: Shumë gjëra mund të flasim rreth kësaj teme, por për shkak se ende nuk është përfunduar raporti i komisionit hetimor, ku na duhet edhe një mandat 10 ditorë që ta përfundojmë plotësisht, atëherë mbetet që detajet të kuptohen në seancën e Kuvendit. Sidoqoftë, secili anëtar i komisionit ka shumë çka për të folur, por jo para se raporti të dërgohet në Kuvendin e Kosovës dhe të shpaloset para deputetëve.

Gazeta Alo: Për fund, si qëndron tani Nisma Socialdemokrate në nivel vendi si parti politike dhe a është e gatshme kjo parti të hyjë në zgjedhje?

Haxhi Shala: Çdo ditë jemi aktiv në parti, të krijosh një parti politike sot nuk është një punë e lehtë sepse duhet të gjesh njerëz adekuat dhe me biografi e po ashtu të shtrihesh në gjithë vendin. Kjo neve na ka marrë shumë kohë, dhe që katër vite punojmë që të shtrihemi në çdo pjesë të vendit. Mirëpo, problemi që e kemi pasur mandatin e kaluar, nëse Nisma do të arrijë të kaloj pragun apo jo, më ai problem nuk ekziston, dhe ne po punojmë vetëm që të rritemi, të ofrojmë figura të reja, dhe atyre të u japim hapësirën e nevojshme në parti. Qytetarët e vendit janë lodhë që nga pas lufta duke parë të njëjtat figura në politikë, dhe ne si Nismë po mundohemi që të afrojmë figura të reja duke prezantuar programin e Nismës. Tani jemi të strukturuar dhe shtrirë si parti në nivel shumë të mirë dhe kur do që të mbahen zgjedhjet ne jemi të gatshëm që të marrim pjesë.

Rubrika: Alo Intervista
Intervistoi: Gurakuç Kuçi