Fjalë Kyçe

Haxhiu e quan Kurtin faktor bashkëpunimi me SHBA-në dhe sulmon Thaçin

Haxhiu e quan Kurtin faktor bashkëpunimi me SHBA-në dhe sulmon Thaçin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova në asnjë rast nuk do t’i prishë marrëdhëniet me SHBA-në.

Ajo, në një postim në Facebook, ka shkruar se kryeministri Albin Kurti “është faktor bashkëpunimi me aleatin strategjik”.

Pjesën më të madhe të postimit, Haxhiu ia ka kushtuar presidentit Hashim Thaçi dhe ish-koalicionit qeveritar PAN.

Sipas saj, “të gjitha” këqijat që i kanë ndodhur Kosovës kanë adresë tjetër, kryesisht Thaçin dhe jo Kurtin.

Kurtit së fundi po i bëhet presion i madh për të hequr taksën ndaj mallrave të Serbisë, nga ndërkombëtarët dhe shumica e partive në vend, përfshirë edhe partnerin e koalicionit – LDK.

Ja postimi i plotë i Haxhiut në Facebook:

“Kosova nuk do t’i prishë kurrë marrëdhëniet me ShBA, dhe kryeministri ynë do të jetë faktor bashkëpunimi me aleatin tonë strategjik. Por Thaçi dhe PAN vërtet e kanë sjellë Kosovën në situatë të palakmueshme diplomatike.

Këtë tarifën, që gabimisht menduan se ishte taksë, e ka vendosur pikërisht qeveria e PAN-it.

Dialogun e pabarabartë në Bruksel, ku e normalizuan Serbinë dhe ia përmirësuan imazhin, e ka filluar pikërisht Hashim Thaçi. Tash Thaçi ia ka hapur derën Vuçiqit edhe në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe shkëmbimin e territoreve, edhe ‘zajednicën’, i ka sjellë në tryezë Thaçi, siç u mor vesh edhe nga marrëveshja sekrete që lidhi në 2013.

Ndërsa qeveria e zhvillimit dhe e drejtësisë, drejtuar nga kryeministri Albin Kurti është e vetmja që ka prezantuar një plan për ta hequr tarifën, sipas kërkesave të ShBA-së. E vetmja kërkesë e qeverisë Kurti është që edhe Serbia t’i ndalë fushatat agresive dhe masat kundër Kosovës.

Në vend që të bashkoheshin në mbështetje të kësaj kërkese dhe në mbështetje të Kosovës, Thaçi dhe PAN po e vazhdojnë politikën e njëjtë, duke pranuar se Kosova vlen më pak se Serbia, pra duke e forcuar Serbinë”.