Fjalë Kyçe

Haxhiu: Gjenocid në Bosnjë u krye nga Serbia dhe jo vetëm nga Mladiqi

Haxhiu: Gjenocid në Bosnjë u krye nga Serbia dhe jo vetëm nga Mladiqi

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka vlerësuar lajm të mirë dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës Ratko Mladiq. Mladiq është dënuar për krime lufte në Bosnjë, ndër to për masakrën e Srebrenicës.

Haxhiu ka thënë se ky është lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare. Mirëpo, Haxhiu ka shtuar se për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiqi, por e gjithë Serbia.

Haxhiu ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë dhe se krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, por janë të planifikuara e urdhëruara nga shteti serb.

Haxhiu ka thënë se duhet përgatitur mirë padia për gjenocid ndaj Serbisë dhe që drejtësia të vihet në vend.

“Lajmi për dënimin me burgim të përjetshëm të kriminelit të luftës dhe njërit ndër udhëheqësit e gjenocidit në Bosnjë, Ratko Mladiq është sigurisht lajm i mirë jo vetëm për mijëra familje që kanë humbur më të dashurit e tyre, por edhe për vet drejtësinë ndërkombëtare. Për këtë krim nuk është fajtor vetëm Mladiq, por edhe vetë Serbia si përgjegjësja dhe planifikuesja e këtij gjenocidi. Shteti i Serbisë nën udhëheqjen e Sllobodan Millosheviqit ka kryer gjenocid edhe në Kosovë, përveçse paraprakisht në Bosnjë. Krimet e kryera në këto dy vende nuk janë individuale, ato i gjejmë të planifikuara e urdhëruara nga vet shteti serb. Në këtë drejtim është e domosdoshme që krahas evidencës shtetërore përmes Institutit për Krimet e Luftës dhe fuqizimit të institucioneve të drejtësisë për adresimin e krimeve të luftës, të përgatisim mirë edhe padinë për gjenocid ndaj Serbisë në mënyrë që drejtësia të vihet në vend për mijëra të vrarë, mijëra gra e burra të dhunuara, mijëra shtëpi të djegura e shkatërruara e shumë pasuri të plaçkitur e vjedhur dhe një popull të tërë të përzënë nga trojet e tyre”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.