Takimet ndërmjet krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të LDK-së, për harmonizimin e qëndrimeve për një bashkëqeverisje të mundshme, kanë pushuar, deri në certifikimin e zgjedhjeve.
Kjo pasi që LDK-ja nuk po shpreh interesim për një gjë të tillë.
Kandidatja për deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Hahiu, gjatë një interviste për EkonomiaOnline, thotë se ekziston vullneti i VV-së për bashkëpunim me LDK-në, por jo edhe i kësaj të fundit.
“Ne kemi caktuar menjëherë atë ditë përfaqësuesin që do ta përfaqësojë VV-në në këto grupe punuese, përgjegjësia e këtyre grupeve do të jetë harmonizimi i programit qeverisës. Megjithatë nëse ekziston një vullnet politik për ta këndellur Kosovën, atëherë besoj që nuk do duhet që të ketë pengesa. Prandaj nëse ka vullnet, natyrisht që kjo është e mundur”, thotë ajo.
Haxhiu lë fajtore LDK-në për të cilën thotë se po humb kohë duke pritur certifikimin e zgjedhjeve.
Ajo thotë se bisedimet për harmonizimin e programit qeverisës mund të vazhdojnë edhe pa përfundim të rinumërimit dhe certifikimit të zgjedhjeve.
“Sa i përket VV-së, ne jemi jashtëzakonisht të hapur dhe shumë të interesuar që ky koalicion të bëhet, por nuk e kemi parë fatkeqësisht të njëjtin interes te Lidhja Demokratike e Kosovës. Këtu dua të shtoj se nuk kemi nevojë që të presim certifikimin e rezultateve, në qoftëse ne nuk bëjmë takime deri në certifikim, atëherë kjo për VV-në është kohë e humbur”, thotë Haxhiu.
Deklarata e Lutfi Hazirit, se VV-ja nuk pati burrni të rreshtohet pas një gruaja për kryeministre, Haxhiu po i quan destruktive dhe kërkoi nga ai që t’i tërhiqet nga to.
“Kam parë deklarata destruktive, sidomos të Lutfi Hazirit që nuk i ndihmo fare bashkëpunimit me VV-në dhe atij qeverisës, prandaj edhe sot kam ftuar atë që të tërhiqet nga këto deklarata të cilat nuk i ndihmojnë fare bashkëpunimit tonë qeverisës”, thotë ajo.
Në takimet që janë mbajtur kohë më parë, Haxhiu thotë se dakordanca e vetme është ulja e numrit të ministrive dhe përfshirja e barazisë gjinore në qeverinë e ardhshme.
“Ne kemi pasur një takim ndërmjet përfaqësuesve të Vetëvendosje, pra kryetari jon me Isa Mustafën dhe Vjosa Osmanin. Ka qenë një takim optimist, në kuptimin e një bashkëpunimi qeverisës. Pra aty janë dakorduar se cili do të jetë numri i ministrive, për përfshirjen e barazisë gjinore në qeverisjen e ardhshme, për disa vendime që nuk duhen të qohen përpara qeveria Kurti, por më e rëndësishmja që janë dakorduar për grupet punuese”, ka thënë Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.