Fjalë Kyçe

Haxhiu: Nesër finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun

Haxhiu: Nesër finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se nesër do të finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë.

Haxhiu ka thënë se reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vetingu.

“Më 15 qershor, finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë. Nuk është në rregull të kemi një ligj me 3-4 ndryshime. Kjo duhet të adresohet sa më parë që të kemi ligje të integruara”, ka deklaruar ajo.

Përndryshe, Haxhiu ka thënë se ka ftuar subjektet opozitare në takime të veçanta për të diskutuar për vetingun.

“Reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vetingu, është i rëndësishëm konsensusi brenda kuvendit, unë i kam ftuar subjektet opozitare për takime të veçanta. Edhe roli i grupit parlamentar të VV është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, por kam ftuar opozitën të flasim për konsensus për vetingun në sistemin e drejtësisë. Pastaj do të takoj edhe grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetin joshumicë”, ka shtuar ajo.

Përndryshe në vazhdimin e seancës së sotme do të diskutohet edhe për situatën ekonomike si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe për pika tjera.