Fjalë Kyçe

Haxhiu për akuzat në KEK: VV nuk do të ndikojë kurrë në procese punësimi

Haxhiu për akuzat në KEK: VV nuk do të ndikojë kurrë në procese punësimi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar sot se ka nisur hetimet në lidhje me punësimet e reja në një konkurs të Korporatës Energjetike të Kosovës, ku kanë aplikuar 4.668 persona, e ku u punësuan 128 persona. Por, ky proces u raportua se pati shumë shkelje, teksa partitë opozitare deklaruan se të punësuarit janë militantë të VV-së.

Lidhur me këtë çështje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se e mirëpret fillimin e hetimeve nga ana e Prokurorisë dhe se çdo pretendim pa marrë parasysh qëllimin që ka duhet të marrë epilogun nga organet e drejtësisë.

“Duke pasur parasysh sulmet në vazhdimësi ndaj qeverisë tonë mund të pritet që këto të jenë akuza të pabaza dhe të padrejta. Por, unë e përshëndes nisjen e hetimeve nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për faktin se secili pretendim pavarësisht qëllimit që ka duhet të mbyllet. Është për keqardhje që subjektet politike të cilat nuk kanë lënë ndërmarrje publike pa shkatërruar hedhin akuza të tilla kundër Lëvizjes Vetëvendosje, por që duket se më tepër kanë qëllim ta dëmtojnë LVV-në se sa që diçka e tillë qëndron”, ka theksuar Haxhiu në RTK.

Lidhur me akuzat e sotme të zëdhënëses së LDK-së, Sibel Halimi se të punësuarit në KEK janë militantë të VV-së, ministrja Haxhiu ka ftuar Halimin që të bashkëpunojë me Prokurorinë për t’i adresuar shqetësimet e saj nëse ato qëndrojnë vërtetë, teksa ka mohuar në mënyrë kategorike përfshirjen e VV-së në këtë proces.

“Korporata Energjetike e Kosovës tashmë ka dalë me deklaratë se procesi do të rishikohet. Derisa nisja e hetimeve nga Prokuroria për këtë çështje do ta mbyllë çdo diskutim dhe pretendim për këtë çështje. VV nuk ka ndikuar dhe nuk do të ndikojë asnjëherë në procese të tilla. Asnjëherë më në Kosovë nuk do të ketë subjekte politike që do të abuzojnë me përgjegjësitë e tyre dhe që ndërhyjnë në proceset e tilla që duhet të jenë të drejta dhe transparente. Vetëm personat që e meritojnë t’i marrin ato pozita do t’i marrin. E di se opozita ka dëshirë të kemi një ‘Pronto’ të radhës por më duhet t’i dëshpërojë sepse nuk do të kemi më raste të tilla. Asnjëherë kriter për punësime nuk do të merret anëtarësia partiake. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të trajtohen të barabartë“, ka nënvizuar Haxhiu.

Ajo ka theksuar se tani duhet ta lëmë Prokurorinë ta bëjë punën e saj dhe ta mbyllë këtë diskutim.