Fjalë Kyçe

Haxhiu: Qeveria e Kosovës, e vetmja në botë që mburret me dështimin rreth vaksinimit

Haxhiu: Qeveria e Kosovës, e vetmja në botë që mburret me dështimin rreth vaksinimit

Shumë të vonuar e ka cilësuar lajmin për përfundimin e negociatave për blerjen e vaksinave nga ana e Qeverisë së Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Në ditën kur Qeveria Kurti njoftoi se ka blerë 1.2 milionë vaksina “Pfizer”, për të cilat ka thënë se pret që të vijnë deri në fund të vitit, Haxhiu ka deklaruar se “Qeveria e Kosovës është e vetmja në botë që mburret me dështimin rreth vaksinimit për COVID-19”.

“Kjo është hipokrizia e Qeverisë Kurti, kur sot informon për heqje të masave thuajse plotësisht me vetëm 3.5% të qytetarëve të vaksinuar me një dozë, e në anën tjetër mburret se kanë përfunduar negociatat për blerje të vaksinave Pfizer, pa dhënë detaje se kur do të arrijnë ato vaksina në Kosovë. Kjo shpërfaqë më së miri logjikën dhe paaftësinë e kësaj Qeverie”, është shprehur ai në Facebook, teksa ka shtuar se “Qeveria në vend se të jetë më transparente dhe të kërkoi falje për dështimin në vaksinim të qytetarëve, ku humben jetën shumë prej tyre, krekoset dhe mburret se e mposhti pandeminë”.

“Veç ky kryeministër di të mashtrojë kështu që dështimin e vlerëson si sukses!!!”, ka përfunduar Haxhiu.

Deputeti Haxhiu kohë më parë pati deklaruar se mund t’i siguronte Kosovës disa vaksina “nëpërmjet lidhjeve të tij”. Ai pati mbajtur takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, por s’ishin dhënë detaje në publik.