Fjalë Kyçe

Haxhiu: Sistemi i drejtësisë çlirohet kur adresohet vetingu

Haxhiu: Sistemi i drejtësisë çlirohet kur adresohet vetingu

Ministrja e zgjedhur e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pranoi sot zyrtarisht detyrën e re që do të jetë në krye të këtij institucioni. Ajo u takua me ministrin e deritanishëm Abelard Tahirin i cili i dorëzoi asaj punët e ministrisë që janë në proces. Haxhiu u zotua se do të bashkëpunojë ngushtë me Kuvendin e Kosovës, institucionet e drejtësisë, shoqërinë civile dhe mediat, ndërkohë theksoi se sistemi i drejtësisë çlirohet atëherë kur të adresohet vetingu.

Ish-kryetarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, tash ministre e Drejtësisë, tha se një prej sfidave më të mëdha me të cilat do të ballafaqohet ky institucion është procesi i vetingut.“Sa i përket vetingut, besoj që sistemi i drejtësisë nisë të çlirohet në momentin kur ne e adresojmë vetingun. Besoj që ky do të jetë njëra prej sfidave më të mëdha që do të ballafaqohet Ministria e Drejtësisë. Personalisht kam përcjellë për së afërmi vetingun në Republikën e Shqipërisë, atje duhet të marrim mësimet si ka shkuar ai proces sepse ka nisur mirë pastaj ka pasur probleme të shumta. Besoj që duhet të nxjerrim mësime nga ai proces. E kemi prioritet tonin, së pari si veting për të gjitha institucionet, në këtë rast për policinë, prokurorinë, gjykatat, AKI-në, doganat, ATK-në, njësitin e inteligjencës financiare, orientimi për ta përfunduar këtë proces do të jetë dy vjet sepse është proces jashtëzakonisht i vështirë”, tha ajo.

Ajo tha se këtë do të bëjnë në bashkëpunim me organizata të shoqërisë civile, Ambasadën Amerikane në Prishtinë, atë të Britanisë së Madhe dhe me Ambasadën Gjermane.  Haxhiu tha se Ministrinë e Drejtësisë e presin sfida të mëdha por që me angazhim të plotë do të arrijë t’i adresojë përpara synimet.Ajo u zotua për bashkëpunim të fuqishëm do të ketë bashkëpunim të fuqishëm me Kuvendin e Kosovës, ku tha se do të raportojë rregullisht në komisionet përkatëse dhe do t’i përgjigjet secilës pyetje parlamentare të deputetëve të Kuvendit.Ndërsa Abelard Tahiri i cili ka drejtuar këtë ministri tha se punën e këtij institucioni do ta përcjellë nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion.“E njoftova sot ministren e re të Drejtësisë, njëkohësisht i urova detyrën e re, e njoftova për punët dhe angazhimet që i kemi bërë. Mund të them që është fat për Ministrinë e Drejtësisë që e drejton një njëri që ka qenë për dy mandate në Komisionin për Legjislacion dhe pak a shumë është e njoftuar për punën e Ministrisë së Drejtësisë, për agjendën legjislative që është mjaft e rëndësishëm dhe unë do ta përcjell punën e Ministrisë së Drejtësisë nga Komisioni për Legjislacion. Normalisht që do t’i jap mbështetje projekteve të cilat mendojmë se janë të rëndësishme për qytetarët dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje është zgjedhur dje ministër e Drejtësisë, në kabinetin e ri qeveritar të drejtuar nga Albin Kurti.