Fjalë Kyçe

Haziri: Anëtarësia s’ia fali LDK-së formimin e Qeverisë pas prishjes së koalicionit me VV-në

Haziri: Anëtarësia s’ia fali LDK-së formimin e Qeverisë pas prishjes së koalicionit me VV-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se nga diskutimet me anëtarësinë e partisë kanë parë që rezultati i dobët i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit ka ardhur pasi kësaj pranie elektorati s’ia ka falur formimin e Qeverisë, pasi prishi koalicionin me Vetëvendosjen.

Në emisionin “Desku” në KOHA, Haziri ka thënë se LDK-ja e ka fajin vet për rezultatet që e vunë në pozitën e tretë, pas VV-së e PDK-së.

“Një analizë është bë tashmë, ish-kryetari Isa Mustafa dha dorëheqje e u zgjodh kryetari i ri. Po bëhet rimobilizim. Pas këtyre zgjedhjesh ka filluar një rund analizash e diskutimesh. Do të vazhdohet me angazhim për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale të vjeshtës. LDK-ja për fajin e vet duhet ta konsiderojë dhe vlerësojë pakënaqësinë e veprimtarëve dhe votuesve. Prej tetorit 2019 dhe 14 shkurt 2021 e ka vlerësimin më të madh për apo kundër angazhimeve të saja, për vendime të mira apo të gabuara. Rezultatet dolën se pakënaqësia ka kulmuar më 14 shkurt, jo duke mosvotuar LDK-në, por duke votuar rivalen e LDK-së”, ka thënë ai fillimisht.

Sipas tij, nga diskutimet në terren është parë që anëtarësia e ka lexuar drejt prishjen e koalicionit me VV-në, por jo marrjen e përgjegjësisë për të udhëhequr më pas.

“Anëtarësia bën me gisht nga ne, në të gjitha nivelet e takimeve. I vlerësojnë vendimet e gabuara të LDK-së. Fajësohet prishja e koalicionit, nga afër vendit të parë doli e treta, dhe marrja e përgjegjësisë. Është lexuar drejtë kjo, por s’është falë marrja e përgjegjësisë. Është dashtë sipas tyre LDK-ja të dalë në opozitë”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, votuesit e LDK-së në zgjedhjet e fundit e kishin “më të lehtë të dilnin te VV-ja”, pasi aty gjendej nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, me iniciativën e saj.

“Ishte lehtësim për ta që pakënaqësinë e tyre më lehtë ta shprehin duke e votuar Vetëvendosjen”, ka thënë ai.

LDK-ja vitin e shkuar prishi koalicionin me VV-në vetëm pak muaj pasi morën pushtetin. Pas rrëzimit të Qeverisë, ajo e mori përsipër udhëheqjen deri kur u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.