Fjalë Kyçe

Haziri: Duam partneritet përtej katër vjetëve me VV-në, e mandatin ta çojmë deri në fund

Haziri: Duam partneritet përtej katër vjetëve me VV-në, e mandatin ta çojmë deri në fund

Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, ka thënë se me Vetëvendosjen synojnë të çojnë mandatin e parë deri në fund, për të krijuar standard të ri në Kosovë. Ai ka shtuar se po punojnë që të formojnë partneritet përtej një mandati katërvjeçar.

“Ne kemi vënë standardin që kush fiton zgjedhjet udhëheq qeverinë. Ne shohim partneritet përtej katër vjetëve. Mendojmë se asnjë qeveri s’mund të jetë e suksesshme brenda një mandati. Standardi që duhet të arrijmë është që pas shpalljes së pavarësisë, një qeveri të përfundojë mandatin duke e respektuar deri në fund. Ka ardhur koha që respektimi i marrëveshjes të jetë i qartë dhe të çojë deri në fund së paku një mandat të rregullt e të mos lodhen njerëzit që të dalin në vota sepse i teket dikujt të rrëzojë qeverinë”, ka thënë ai në Interaktiv.

Sipas Hazirit, LDK-ja në bisedat që po zhvillon me Vetëvendosjen për qeverisjen e ardhshme “as nuk do të vendosë e as nuk do të pranojë kushte”.

Ai ka thënë se beson që implementimi i programit të jetë faza më e lehtë e partneritetit LDK-VV. Sipas tij, s’ka pasur fare biseda për ndarje të posteve, pos marrëveshjes që “struktura të përgjysmohet nga e kaluara dhe të kthehemi në 12 ministri e të ketë ulje drastike të numrit të zëvendësministrave e këshilltarëve”.

Haziri tutje ka folur edhe për takimin e sotëm, si dhe takimet e tjera punuese mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“Unë jam anëtar i rregullt i grupit punues. Është hera e tretë që marrë pjesë. Javën e kaluar unë kam qenë i angazhuar me familje dhe nuk kam marrë pjesë. Por mua më ka caktuar kryetari i partisë që të jem pjesë e ekipit dhe unë do të jem në çdo takim në formatin 3 plus 3, si dhe të dy partitë e plotësojmë me ekspertë të fushave sektoriale këtë format”, ka thënë Haziri në Inetarktiv të KTV-së.

Ai ka treguar se në këtë javë të dy partitë do të takohen sërish, sipas rotacionit në selinë e VV-së, për të diskutuar për politikat sociale dhe çështjet e mbetura.

“Dhe po shkojmë drejt fundit. Do të ketë takime të tjera. Do të mblidhet niveli politik, në nivel të liderëve që pritet të takohen e të cilët më pas do ta caktojnë edhe formatin e takimeve. Nëse ka nevojë ta delegojnë prapë te grupet punese në mënyrë që të shtirren të gjitha çështjet”, ka thënë Haziri.

Haziri ka thënë se pesë takimet e kaluara kanë shkuar shumë mirë.

“Kemi qartësuar shumëçka nga politikat sektoriale, e cila nesër do të bëhet program qeverisës. Do të ketë buxhet, do të vendosen afatet kohore, dhe më vonë do të caktohen edhe emrat që do të jenë bartës të projekteve”, ka thënë Haziri.