Fjalë Kyçe

Haziri: VV-ja ta ketë ekzekutivin, ndërsa LDK-ja Kuvendin

Haziri: VV-ja ta ketë ekzekutivin, ndërsa LDK-ja Kuvendin

Pas takimit të kryesisë së LDK-së, para mediave ka folur nënkryetari i kësaj partie Lutfi Haziri.

Ai para mediave ka thënë se po punohet në arritjen e marrëveshjes me Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.

Ai tha se po punohet që të hënën Kosova të ketë ekzekutivin e udhëhequr nga Albin Kurti, por ka kërkuar që LDK-së t’i ndahet roli i saj në Kuvend që nënkupton se LDK ta ketë kryeparlamentarin.

“Sot kryetari i LDK-së ka zhvilluar konsultime ditore siç kam thënë dje, ne do të vazhdojmë përpjekjet me takime intensive edhe brenda strukturave edhe me partnerët e koalicionit VV të arrijmë marrëveshje që të hënën i jep Kosovës ekzekutivin e ri me Albin Kurtin kryeministër. Angazhimi është që marrëveshja të jetë  balancuar dhe i akomodon të dy subjektet e mëdha politike në mënyrë që të hapet rruga që mandatari të krijojë koalicion edhe me partitë e pakicave që nuk përfshinë Listën Serbe, por pakicat etnike jo-serbe. Angazhimi ynë është që kjo marrëveshje ta ndajë rolin e LDK-së në Kuvend në mënyrë që ekzekutivi dhe kuvendi të koordinohen në hartimin e politikave programore”, tha Haziri.

“Finalizimi i marrëveshjes bie mbi përgjegjësinë e dy partive politike dhe ky angazhim është në funksion të sajë”, tha Haziri.

I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë takime VV – LDK, ai është shprehur se do të vazhdojnë takimet.

“Edhe më tutje po negociohet dhe po kërkojmë që negociatat me faktu që roli jonë në Kuvend dhe i VV-së në ekzekutiv me përfaqësim të barabartë i jep Kosovës stabilitet politik, nuk është përballuar ende ky dallim, por angazhimi ynë do të dëshmojë se kjo mund të arrihet. Angazhimi nuk ka munguar deri më tani, LDK ka treguar kreativitet dhe afinitet që në negociata të japë mundësi dhe kompromise”, tha Haziri më tutje.