Fjalë Kyçe

Haziri zbulon detaje të takimit të Abdixhikut me Kryeministrin Kurti

Haziri zbulon detaje të takimit të Abdixhikut me Kryeministrin Kurti

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka treguar se çfarë kanë kërkuar nga kryeministri Kurti në takimin e sotëm.

Haziri ka thënë se i kanë bërë të qartë Kurtit se para dhe pas çdo bisedimi me Serbinë, duhet të njoftohet Kuvendi i Kosovës.

“Çdo negociator dhe çdo përfaqësues i Kosovës që bisedon duhet para dhe pas bisedimeve ta njofton organin ma të lartë kushtetues, Kuvendin e Republikës. Se sa e shtrin informacionin, ne natyrisht nuk po themi që në teknika dhe cështjet që janë të ndjeshme që e dëmtojnë procesin ose palën tonë në negociata do duhej me dhënë detaje, por aq sa është e nevojshme Kuvendi duhet të njoftohet para dhe pas çdo bisedimi. Kjo është që ne sot e shtjerrim në takim”, tha ai.

Më tej në KlanKosova u shpreh se në takimin e përbashkët me kryetarin Abdixhiku, kanë kërkuar sqarime nga kryeministri edhe sa i përket çështjes së reciprocitetit.

“Ministrja Gërvalla dje e zbardhi qëndrimin dhe tha që nuk ka nevojë për reciprocitetin sepse po dëmton si parim politik. Ne sot e përmendem se çka nënkupton tërheqja nga reciprociteti dhe pak a shumë ajo përgjigja e ‘gjysmë shtatzënisë’ që e morëm, sepse një pjesë e marrëveshjeve në implementim do të shikohet se sa janë implementuar në Kosovë dhe në Serbi. Dhe çështje tjera janë rishikuar. Por edhe më tutje nuk ka format. Agjenda është shumë e diskutueshme”, tha Haziri.

Megjithatë Haziri tha se Qeveria ende nuk ka një plan konkret për dialogun me Serbinë që pritet të ndodhë në qershor.

Tutje Haziri ka bërë të ditur se një ditë më parë, kishin takim edhe me Presidenten Vjosa Osmani, lidhur me diskutimet për çështjen e dialogut.

Sipas tij, nga ky takim, kanë dëgjuar pikëpamjet e presidentes lidhur me rolin e Qeverisë në raport me çështjen e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, njofton Klan Kosova.

”Takimi [me Albin Kurtin] ka qenë informues. Ne jemi ftuar për këtë karakter takimi”. ”Të them të drejtën në fakt, ne kemi mbajtur tri takime, se dje kemi takuar edhe Presidenten Vjosa Osmani, për të dëgjuar edhe nga ajo pikëpamjet e presidentes lidhur me rolin e qeverisë dhe dialogun”, u shpreh Haziri.