Fjalë Kyçe

Heshtja e çuditshme e Agim Veliut

Heshtja e çuditshme e Agim Veliut

Më 14 mars Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i mbajë zgjedhjet për kryetarin e partisë pas dorëheqjes së Isa Mustafës më 15 shkurt.

Deri më tani, lidhur me kandidaturat për kryetar të LDK-së është përfolur gjatë në publik, por janë aktualisht 5 prej tyre që janë zyrtarizuar si pretendent për të udhëhequr partinë nga 14 marsi e tutje, shkruan lajmi.net.

Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri, Anton Quni, Skender Gashi dhe sot Besian Mustafa kanë zyrtarizuar pretendimet e tyre për të udhëhequr Lidhjen Demokratike të Kosovës, por në anën tjetër njëri nga figurat kyqe të kësaj partie, Agim Veliu ka qëndruar i heshtur lidhur me garën brenda LDK-së.

Veliu i cili është ndër figurat më të përfolura të partisë, deklarimin e fundit edhe në rrjetin e tij social Facebook e ka bërë më 17 shkurt për Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Ish-kryetari i Podujevës dhe anëtari i Kryesisë së LDK-së ka qenë inekzistent në media gjatë kësaj periudhe kohore që prej zgjedhjeve të 14 shkurtit e as tash kur tema kryesore politike në vend është LDK-ja.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Jeton Brajshori është shprehur se Agim Veliu është person kontravers dhe tutje ka thënë se ai shihet edhe si person i afërt me kryetarin Mustafa dhe i ka humbur zgjedhjet në Podujevë, si person i fuqishëm që vjen nga ai qytet.

“Agim Veliu konsiderohet si personi më kontravers politik, me faktin se shihet personi kyq i cili ishte edhe shkaktar për rënien e qeverisë. Si nënkryetar i LDK-së, por edhe si kryetar i Podujevës, zotri Veliu shihej si një person shumë i fuqishëm dhe i afërt me kryetarin Mustafa. Lakmia e tij për pozitë ministrore bëri që Podujeva të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme ku LDK-ja pësoi debakël në bastionin e vet më të madh duke e humbur pa balotazh e cila pati efektin domino ku LDK-ja që nga themelimi mori rezultatin më të dobët në histori.”, tha Brajshori.

Brajshori thotë se arsyeja e heshtjes së tij është fakti se ai ndihet fajtor lidhur me rezultatin e LDK-së dhe dëshiron që të duket se nuk po interferon në zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së.

Sipas tij, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Kryetari i ri i LDK-së sipas Brajshorit do të zgjidhet me direktiva të Isa Mustafës dhe Agim Veliut, pra ai që tregon lojalitetin e tyre.

“Arsyeja e heshtjes së tij mendoj se ka të bëjë me këtë që thashë më lart, ai e sheh vetën fajtor për dështimin katastrofal të LDK-së dhe se gishtin për këtë rezultat e kanë të drejtuar kah ai. Po ashtu, z.Veliu dëshiron që në sy të opinionit të duket se nuk është duke interferuar në përzgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, duke heshtur vazhdimisht. Unë mendoj se e vërteta është krejtësisht tjetër. Kryetari i LDK-së do të zgjidhet pikërisht me direktiva të Isa Mustafës dhe Agim Veliut, pra kryetari i ardhshë do të jetë personi që tregon lojalitetin ndaj tyre. Pra besoj fuqishëm se z.Veliu edhe pse po hesht, realisht është duke punuar në heshtje për një kryetar marionet të klanit të vjetër të LDK-së, të cilët ende nuk janë të gatshëm të largohen nga partia, pra LDK-në e pret një e ardhme e zymtë.”, tha Brajshori.

Sot është bërë zyrtare edhe kandidatura më e re për kryetar të LDK-së, ajo e Besian Mustafës.

“Do të sigurohem që LDK do të ketë debat, diskutim dhe bashkëbisedim të hapur e të gjatë me secilin dashamir, votues e ish-votues dhe anëtar e ish-anëtar ku së bashku do të ndërtojmë unitetin dhe komunikimin tonë të vazhdueshëm”, ka shkruar Mustafa ndër tjerash.

Në anën tjetër, ditët në vijim nuk dihet nëse do të ketë kandidatura të tjera zyrtare por deri më tani, Lumir Abdixhiku, Anton Quni, Lutfi Haziri, Besian Mustafa e Skender Gashi e pretendojnë këtë post.