Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përmes një postimi në Facebook, thotë se ky është hap i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës.
BE po ashtu ka kërkuar që kjo qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE, përfshirë automjetet e dorës së dytë.
“Bashkimi Evropian Kosova mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë homologimin për automjete të reja të importuara të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, thuhet në reagimin e BE-së.
Tre muaj më parë në Kuvendin e Kosovës është miratuar rezoluta për heqjen e monopolit në homologim.
Në këtë seancë u kërkua që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.