Emisioni online “Fol me psikologen” ka trajtuar rastet e dhimbshme të 2 grave shqiptare.
Një vajzë 23-vjeçare nga një fshat verior, pasi vendos t’i japë fund martesës filloi përpjekjet për të realizuar ëndrrat e saj për t’u bërë modele. Persona të ndryshëm të agjencive të modës në Shqipëri e mashtruan duke e çuar jashtë në disa agjensi të cilat nuk merreshin me modeling, por e futën në botën e prostituimit.
Pas shumë peripecive kjo vajzë e gjen veten në Britaninë e Madhe dhe pjesë të një grupi trafikantësh ndërkombëtarë droge. Pasi mbetet edhe shtatzënë ajo zhduket. Historinë e saj në studio e ka sjellë aktivistja e shoqërisë civile, Nertila Haxhia e cila e kishte takuar 23-vjeçaren gjatë vizitës së bërë në Angli së bashku me shumë gra dhe vajza të tjera shqiptare të trafikuara atje, shkruan BalkanWeb.
Haxhia rrëfen se si shpëtoi dhe si është jeta e kësaj vajze sot duke theksuar se shumë shpejt emrin e saj mund ta dëgjojmë në mbarë botën të afirmuar në fushën e modës. Një tjetër histori po aq e dhimbshme është ajo e Blerinës nga Tirana e cila ka kërkuar ndihmën e shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare” pasi është dëbuar nga Anglia 4 vite më parë, por 2 fëmijët i janë marrë dhe janë mbajtur atje forcërisht.
E pafuqishme për të kërkuar të drejtat e saj si nënë dhe në pamundësi për të shkuar në Angli ajo ka kërkuar ndihmë.
Nertila Haxhia ka marrë përsipër ndjekjen e çështjes së saj, në studion e “Fol me psikologen” ajo jep lajmin e mirë për Blerinën dhe rrugët që do të ndiqen që ajo të takojë më në fund fëmijët e saj.