Fjalë Kyçe

Homazhe tek varri i Arben Xheladinit, babai kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tij

Homazhe tek varri i Arben Xheladinit, babai kërkon drejtësi për vrasjen e djalit të tij

Sot shënohet 12 vjetori i protestës së 10 shkurtit, në të cilën u vranë dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, si dhe mbetën të plagosur rreth 80 të tjerë.

Për nder të kësaj dite, tek varri i Arben Xheladinit bën homazhe familjar dhe aktivistë të Lëvizjes, njofton Klan Kosova.

Shaban Xheladini, babai i të vrarit, bën thirrje ndaj Qeverisë që të gjejë ata që vranë dy nga aktivistët dhe që plagosën më shumë se 80 të tjerë në 10 shkurtin e vitit 2007.

“Deri më tani Qeveritë tona kanë ra në gjumë dimëror dhe nuk kanë marrë kurrfarë hapi për të gjetë kriminelët që i rrahën dhe ushtruan dhunë mbi 80 njerëz. Dëmet e shkaktuara në njerëz nuk i bëjnë përshtypje Qeverisë sonë. Djemtë tanë nuk konsiderohen si mbrojtës të Kosovës, bile ish kryetari Hashim Thaçi para disa vitesh u vu në mbrojtje të policëve rumunë i cili tha se ata nuk i vrau policia rumune por LVV”.

Sipas tij, policët e UNMIK-ut, kriminelë siç i quan ai, nuk janë gjetë ende edhe pas kaq kohësh.

“Jetën ia mori unmiku përmes kontigjentit të policisë rumune. Protesta ishte paqësore ndaj planit të Ahtisarit që parashihte zgjidhje për të ardhmen e Kosovës që ishin jo pak por shumë të dëmshme. Këto zgjidhje po shihen tash sa na kanë bë dëm. LVV e pa këtë rrezik”.