Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i ka bërë thirrje shoqërisë civile të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në Komisionin Parlamentar për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor.
Sipas Hotit, pa mbështetjen e tyre dhe pa pjesëmarrjen e tyre, nuk mund të ketë përmirësim në procesin zgjedhor në Kosovë.
Kujtojmë se dje, shoqëria civile, përfshirë Demokracia në Veprim/ Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Demokraci për Zhvillim (D4D); Demokraci Plus (D+); Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS); Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, kanë pezulluar pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar Ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, siç njoftuan ata, deri në tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike.
“Për shkak të pakënaqësisë me draftin e Projektligjin për Financimin e Partive Politike, organizatat kryesore të shoqërisë civile e kanë pezulluar pjesëmarrjen në Grupin Këshillëdhënës që e mbështet punën e Komisionit Parlamentar ad-hoc për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor. Komisioni Parlamentar, i formuar në prill të këtij viti, ka synim kryesor adresimin e rekomandimeve të vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja. Pa pjesëmarrjen e shoqërisë civile nuk besoj se mund të bëhet përmirësim substancial i procesit zgjedhor në Kosovë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Hoti, thotë se Projektligji për të cilin organizatat e shoqërisë civile me të drejtë po kundërshtojnë, tani për tani nuk bie në kompetencën e këtij Komisioni Parlamentar.
“Në cilësinë e kryetarit të këtij Komisioni Parlamentar, i ftojë këto organizata të vazhdojnë të japin kontributin në Grupin Këshillëdhënës që të adresojmë në mënyrë cilësore rekomandimet e vëzhguesve të BE-së, ashtu siç e kemi paraparë me planin e punës të Komisionit. Po ashtu, dëshiroj t`i njoftoj ato se asnjë projektligj, e aq më pak ky për Financimin e Partive Politike, i cili bie ndesh me frymën kushtetuese dhe parimet zgjedhore sipas standardeve të BE-së, nuk do të përkrahet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Besoj se në Kuvendin e Kosovës do të arrijmë të ndërtojmë konsensusin e nevojshëm për një ligj për financimin e partive politike që është në përputhje me standardet e BE-së dhe që siguron financim dhe raportim transparent të partive politike, që siguron llogaridhënie të partive politike ndaj qytetarëve dhe votuesve”, ka thënë Hoti.