Fjalë Kyçe

Hovenier: Kushdo që barazon situatën në Donbas më atë të Kosovës, nuk i ka kushtuar vëmendje historisë

Hovenier: Kushdo që barazon situatën në Donbas më atë të Kosovës, nuk i ka kushtuar vëmendje historisë

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, është arritja e parë e rëndësishme në procesin e dialogut gjatë viteve të fundit.

Ai në një intervistë në Klan Kosova ka thënë se marrëveshja në Bruksel vendos energjinë elektrike në veri nën mbikëqyrjen e rregullatorit të Kosovës.

“Është një hap i rëndësishëm përpara që tregon se mund të arrihet përparim i rëndësishëm për të dy vendet përmes procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin ne e mbështesim fuqimisht”, ka thënë Hovenier.

Diplomati amerikan tha se dëshirojnë ta shohim Kosovën të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike, dhe se dialogu është mënyrë e rëndësishme për të arritur këtë.

“Besojmë që Kosova mund të marrë pjesë në mënyrë aktive, konstruktive në dialog dhe të arrijë përparim domethënës për Kosovën pa i sakrifikuar gjërat që nuk janë të negociueshme. Askush nuk po i kërkon Kosovës të negociojë për sovranitetin, pavarësinë, integritetin e saj territorial. Me arritjen e marrëveshjes për energji, kryeministri Kurti e Besnik Bislimi treguan pikërisht këtë: se mund të arrihet diçka domethënëse për Kosovën – dhe është e rëndësishme për t’u arritur – dhe që ka gjasa për sukses edhe më të madh në dialog”, tha ai.

Hovenier ka folur edhe për deklaratat e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili në shumë raste e ka përdorur precedentin e Kosovës për ta njohur Republikën e Donbasit.

“Është barazim i rrejshëm, stereotipike e Putinit, por thjeshtë nuk është e bazuar në fakte. Këto dy situata nuk mund të jenë më të ndryshme dhe kushdo që mundohet të barazojë situatën në Donbas me atë të Kosovës, sinqerisht nuk i ka kushtuar vëmendje historisë”, ka thënë Hovenier.