Fjalë Kyçe

Hovenier: Qeveria të lëvizë para me Asociacionin

Hovenier: Qeveria të lëvizë para me Asociacionin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës inkurajojnë Kosovën që të veprojë lidhur me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas parashtrimit si kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Ai ka thënë se SHBA-ja qëndron fuqishëm me Kosovën për ta parë duke zënë vend në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

“Vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë se ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Hovenier në një intervistë për televizionin publik të Kosovës të enjten.

“Siç e thatë edhe ju, javën e kaluar është mbajtur një takim i Këshillit të Evropës, por aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk u përfshi në rend dite. Nga këndvështrimi ynë, është për të ardhur keq. Siç thashë, ne do të dëshironim ta shohim Kosovën anëtare, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet. Ne nuk votojmë aty. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërqeveritare që nuk përfshin qeverinë time. Ne jemi vëzhgues në të, por këshilla jonë për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka shpresë që qëllimi mund të arrihet, por ka shtuar se kjo “s’do të thotë se do të ndodhë automatikisht”.

“Ka disa gjëra specifike që qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj. Më duhet të them se nga këndvështrimi i SHBA-së, këshilla jonë për qeverinë ka qenë të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vendet e tjera në Këshillin e Evropës për të treguar angazhimin e saj të qartë dhe të vendosur ndaj të drejtave të pakicave. Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se dërgimi i draftit të Bashkimit Evropian për Asociacionin do të ndihmonte për të siguruar mbrojtje për komunitetin serb, përpos zhbllokimit të hapit për Këshill të Evropës.

Hovenier ka thënë po ashtu se është çështje e Qeverisë së Kosovës të zgjedhë draftin që dëshiron ta hartojë apo ta miratojë apo edhe dërgojë në Kushtetuese. Megjithatë, ka veçuar draftin e BE-së.
“Por do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian, ky draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme. Fillimisht ajo iu prezantua Kosovës nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, në emër të Bashkimit Evropian, por në praninë e zyrtarëve shumë të lartë nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara – vende që do të dëshironit të mbështetnin Kosovën në aplikimin e saj për anëtarësim. Së dyti, Bashkimi Evropian si BE ka thënë se e miraton statutin. Pra, ju keni këtë draft statut që ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, Bashkimit Evropian, shteteve individuale anëtare të BE-së, i cili nuk është kundërshtuar nga Serbia. Të gjithë kemi thënë se ky draft i përmbush kërkesat. Kosova është zotuar qysh në vitin 2013 për të krijuar këtë Asociacion. Ky draft do të përmbushë kërkesat dhe edhe diçka tjetër, besojmë fuqimisht se është bërë në një mënyrë që respekton shqetësimet e identifikuara nga qeveria e Kosovës”, ka thënë ai.

Hovenier ka deklaruar se SHBA-ja nuk dëshiron një Republikë Sërpska në Kosovë.

“Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës. Ky draft besojmë se i përmbush të gjitha këto. Ka disa që argumentojnë se ky draft-statut duhet të përmirësohet ose ndoshta nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse e vetmja gjë që po kërkojmë nga Kosova të bëjë është që ta dërgojë atë tek ky organ, te organi i vetëm në planet që ka autoritetin dhe kompetencat aktuale për të përcaktuar nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo – GjykataKushtetuese e Republikës së Kosovës. Kjo është ajo që po kërkojmë. Tani, ne të gjithë do të respektojmë rezultatin e atij procesi. Të gjithë do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh të gjitha ato përparësi, është e vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona”, ka thënë ambasadori amerikan.

Hovenier ka thënë se qëllimi i dëshiruar i SHBA-së në dialog është njohja reciproke.

“Po, ky është absolutisht qëllimi ynë i dëshiruar që rezultati i këtij procesi, kur të ketë mbaruar, të jetë njohja reciproke, dhe besojmë se ky është i vetmi rezultat i mundur. Ky është qëndrimi i administratës Biden për një kohë të gjatë. Ne flasim për njohjen e ndërsjellë që do të ndodhë dikur sepse nuk mendojmë se do të ndodhë tani. Kemi pasur dëshirë të ndodhë dhe duhet të ndodhë dhe besojmë se asnjëri vend nuk do të integrohet realisht në të gjitha institucionet evropiane dhe euroatlantike pa njohje reciproke”, ka thënë ai duke shtuar se tash fokusi është te marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit.

Hovenier ka kritikuar Kosovën edhe për operacionin në veri në bankën ilegale. Sipas tij, veprimi nuk ishte i koordinuar dhe e vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog.

Ai ka thënë se SHBA-ja dëshiron ta shohë Kosovën në Bashkimin Evropian e NATO.