Dhurata Hoxha, ministre e Integrimeve Evropiane, ka deklaruar se pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian asgjë më nuk e pengon liberalizimin e vizave me Kosovën.
Pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentit Evropian (PE) nuk do të ketë arsye të pengohet liberalizimi i vizave për Kosovën.
Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin” ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, duke shtuar se Kosova ishte viktimë e klimës së brendshme të partive të ekstremit të djathtë në shtetet e BE-së.
Sipas ministres Hoxha, edhe pse euroskeptikët janë rritur në përbërjen e re të Parlamentit Evropian, ajo nuk pret që politikat e BE-së pro zgjerimit të ndryshojnë, pasi partitë pro zgjerimit përsëri e përbëjnë shumicën në PE.
“Perspektiva jonë evropiane nuk do të rrezikohet për shkak se grupet e mëdha popullore, liberale, demokrate dhe miqtë tjerë janë shumicë. Euroskeptikët nuk janë shumicë, nuk e kalojnë 30% e përbërjes së re të Parlamentit Evropian. Shpresojmë për vijueshmëri të procesit për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, pa dyshim”, ka potencuar ajo.