Fjalë Kyçe

Hoxha pejan përsërit: Lejohet të falemi edhe shqip, vetëm arabishtja nuk është gjuhë e Islamit

Hoxha pejan përsërit: Lejohet të falemi edhe shqip, vetëm arabishtja nuk është gjuhë e Islamit

Hoxha nga Peja, Drilon Gashi, ka deklaruar përsëri se besimtarëve islamë iu lejohet falja edhe në gjuhën shqipe.
Ai e ka përsëritur deklaratën e tij, pas reagimeve ndaj tij nga hoxhë tjerë.

“Unë nuk kam thënë që ‘duhet të falemi shqip’ por kam thënë që ‘lejohet të falemi shqip’, dhe për këtë kam përmendur një delikt të njohur nga shkolla juridike ‘hanefite’”, ka shkruar Gashi të dielën, në llogarinë e tij, në rrjetin social Facebook, në internet.
Imami pejan ka këmbëngulur se falja në shqip nuk është e ndaluar.
“Unë vazhdoj të insistoj që nuk ekziston argument decidiv sheriatik që e ndalon një gjë të tillë, sidomos për ata që nuk e njohin arabishten dhe nuk dinë ta shqiptojnë kuranin në origjinal”, është shprehur ai.
“Sipas Ebu Hanifes, jo vetëm namazin, por edhe ezanin lejohet që ta thërrasim në gjuhën shqipe, nëse ata që e dëgjojnë, e kuptojnë që është ezan për namaz. Nëse paskam manipuluar unë me fe e kuran, paska manipuluar edhe Ebu Hanifja!”, ka thënë ai, ndër të tjera.

Gashi ka deklaruar se arabishtja nuk është gjuha e islamit.
“Gabim e kanë edhe ata që thonë se në momentin që Kurani përkthehet në një gjuhë tjetër, nuk quhet më kuran, por komentim i kuranit, sepse Zoti paska folur në gjuhën arabe”, ka shkruar ai.
“Fillimisht, arabishtja nuk është gjuhë e islamit, sepse në islam kanë qenë gjithë profetët e Zotit”, ka thënë Gashi.

Shkrimi i plotë i Gashit në Facebook:

RTV Dukagjini mbrëmë në një emision me hoxhën populist Behar Mjekiqin, pas min. 39-të dhe RTK-ja një natë më herët, sërish ma paskan përmendur emrin.
Unë nuk kam thënë që “duhet të falemi shqip” por kam thënë që “lejohet të falemi shqip”, dhe për këtë kam përmendur një delikt të njohur nga shkolla juridike “hanefite”.

Unë vazhdoj të insistoj që nuk ekziston argument decidiv sheriatik që e ndalon një gjë të tillë, sidomos për ata që nuk e njohin arabishten dhe nuk dinë ta shqiptojnë kuranin në origjinal.
Sipas Ebu Hanifes, jo vetëm namazin, por edhe ezanin lejohet që ta thërrasim në gjuhën shqipe, nëse ata që e dëgjojnë, e kuptojnë që është ezan për namaz.

Nëse paskam manipuluar unë me fe e kuran, paska manipuluar edhe Ebu Hanifja!
Krahasimet që bëjnë ata që mendojnë si Behari, mes namazit në një gjuhë tjetër dhe paracetamolit apo haxhit, janë fare të kota, sepse elementi krahasues i tyre, sipas shkencës së Usuli Fikhut nuk është i vlefshëm (قياس مع الفارق).
Gabim e kanë edhe ata që thonë se në momentin që Kurani përkthehet në një gjuhë tjetër, nuk quhet më kuran, por komentim i kuranit, sepse Zoti paska folur në gjuhën arabe!!
Fillimisht, vetëm arabishtja nuk është gjuhë e islamit, sepse në islam kanë qenë gjithë pejgamberët e Zotit.
Sipas vet kredos që përfaqëson bashkësisa islame, e që është doktrina maturidite, Zoti nuk bën të thuhet se “flet arabisht”, sepse gjuhet sikur shqipja, arabishtja, etj janë atribute njerëzore që janë krijuar nga ana e njeriut, ndërsa fjala e Zotit nuk është e krijuar -sipas tyre.
Nuk bën te thuhet se divergjencat e gjuhëve kthehen tek Zoti, sepse Ai është Një që s’ka divergjenca. Allahu xh.sh na e ka treguar “fjalën e Tij të amshueshme” përmes këtyre gjuhëve. Fjala e Zotit –sipas maturidive- dëgjohet pa gjuhë, pa tinguj dhe pa zë, ashtu siç dëshiron Ai.

Për këtë arsye, si duket, edhe argument i Ebu Hanifes ishte që baza dhe manaja e Kuranit gjendet edhe në librat e mëparshëm qiellor, sepse “fjala e Zotit” kishte zbritur më parë edhe në gjuhë të tjera.
Kurani në lidhje me këtë thotë: (وَإِنَّهُ لَفِي زُبُرِ الْأَوَّلِينَ)
[Me të vërtetë, ai (Kurani) ishte në Shkrimet e të parëve](Shuara,196),
që do të thotë se një pjesë e tij, pa dyshim ishte shpallur edhe në gjuhën e tyre.
Dhe ka thënë: (إِنَّ هَذَا لَفِي الصُّحُفِ الْأُولَى * صُحُفِ إِبْرَاهِيمَ وَمُوسَى)
[Kjo, me të vërtetë, ndodhej në Fletët e Lashta. Në Suhufet e Ibrahimit dhe Musait](Ala: 18,19).
Suhufet e Ibrahimit ishin në gjuhën Sirjanije, ndërsa ato të Musait në Aberije, që nënkupton se edhe ato konsideroheshin relevatë e Zotit.
Esenca e fjalës së Zotit është pra “kuptimi” dhe “përmbajtja”, e dihet që kuptimi zakonisht nuk ndryshon me ndryshimin e gjuhëve dhe shqiptimin e fjalëve.
Edhe pse bukuria e Kuranit është shfaqur në përmbajtje dhe shprehje bashkarisht, sipas këtij interpretimi, vetëm përmbajtja (kuptimi) është obligim (rukn) në namaz, e jo shprehja gjuhësore arabe, sidomos për ata që nuk e njohin arabishten.
Zaten, edhe zbritja e Kuranit në gjuhën arabe, në kohën e profetit Muhamed, ishte mundësuar në shtatë dialekte, e gjithë kjo në shenjë lehtësimi për arabët e asaj kohe.

Tjetër: Nëse lejohet që në fenë islame të hysh me shehadetin në gjuhën shqipe, pse të mos lejohet hyrja në namaz në gjuhën shqipe?! Ky krahasim do të ishte më me vend, sesa krahasimet tuaja.
Tjetër: Përkthimi i një libri apo teksti prej një gjuhe në një gjuhë tjetër, sipas zakonit, nuk ia rrëmben atij origjinën e as nuk e privon atë libër prej titullit te vet. Shpeshherë ne lexojmë libra të huaja që janë përkthyer në gjuhën shqipe, megjithatë, askush nuk e konteston që ne kemi lexuar libra apo tituj tjetër, pse ato na qenkan vetëm përkthime!
Nëse ne lexojmë “Idiotin” e Dostojevskit në shqip, a do të thotë kjo që kemi lexuar komentin e tij, e jo librin e të njëjtit autor?!

Shembull tjetër: Nëse një qytetar francez f.v. lexon një fragment nga historia e Taberiut në gjuhën franceze, a do t’i themi atij që ju nuk keni lexuar historinë e Taberiut?!
Dëshmitar këtu kemi edhe të krishterët sot që e lexojnë Biblën, vallë, a mund të themi që ata nuk po e lexojnë ungjillin?
Pastaj, a do të thotë kjo që, namazi dhe adhurimi i gjithë atyre myslimanëve, që jetuan pas Jezusit a.s. deri para ardhjes së profetit Muhamed, paska qenë i kotë, sepse kopja më e vjetër e Biblës gjendej në gjuhën greke?!
Unë mendoj që ajo e cila i ka shtyrë këta njerëz të mendojnë kësisoj, është shenjtërimi që këta i kanë dhënë gjuhës arabe, e cila është gjuha origjinale e Kuranit, sepse realisht ajo paraqet një element të rëndësishëm që është fundament në procesin e argumentimit të mrekullisë gjuhësore të Kuranit. Prej këtu, këta kanë hamendësuar se përkthimi i kuranit nuk quhet KURAN, ndërsa Zoti në Kuran na ka urdhëruar që në namaz të lexojmë Kuran!
Ne themi se edhe vetëm përkthimi dhe përmbajtja e kuranit vetvetiu ofron shumë rezultate të mrekullisë. Tek e fundit, leximi i tekstit në arabishte është diçka, ndërsa fakti që teksti i përkthyer zë vendin e tekstit origjinal dhe quhet kuran është krejt diçka tjetër.

Ju kur lexoni Shekspirin, sipas zakonit thuhet: Keni lexuar veprat e tij, edhe pse teksti i përkthyer nuk e arrin nivelin e letërsisë së lartë që përmban origjinali. E njëjta vlen edhe me veprat e Mesnaviut dhe Rrumit, ndryshe shijohen në origjinale me frymën e tyre estetike dhe ritmike që e përmbajnë, e ndryshe është kur i lexon të përkthyera, megjithatë, kjo nuk e mohon të vërtetën e titullit dhe as tekstin e përkthyer.
Pra, edhe kur lexojmë përkthimin, ne po lexojmë kuranin.
E vërtetë që Zoti na ka urdhëruar që ne në namaz të lexojmë kuran, por nuk ka thënë ta lexojmë vetëm në gjuhën arabe. Ky është interpretim juaji. Përkundrazi, ka urdhëruar që gjatë leximit t’i meditojmë dhe fiqirojmë vargjet e tij, e jo thjeshtë të bëjmë recitim të ngurtë dhe fallco, sikur idhujtarët që në tempujt e tyre përsërisin fjalë që nuk ua dinë domethënien.

Kurani ka ndaluar që njeriu të bëj namaz kur është i dehur nga alkooli, sepse nuk është në gjendje të kuptojë atë që e thotë. Namazi i atij që nuk kupton asgjë nga falja e tij, nuk ka shumë dallim me namazin e të dehurit.
Tek e fundit, nëse namazi -sipas jush- duhet që gjithsesi të përmbajë një varg të gjatë kuranor apo tri të shkurtra në gjuhën arabe, atëherë pse të mos lejohet që njëkohësisht pas arabishtes të lexohet edhe përkthimi shqip?!
Edhe sikur ky mendim juaji të merrej si i mirëqenë, mos harroni që namazi nuk përbëhet vetëm prej leximit të kuranit! Kurani është obligim të lexohet vetëm në dy rekatet e para. E gjithë pjesa tjetër e namazit përbëhet prej dhikrit, tekbirit, tesbihut, tahmidit, teshehudit, teslimit e gjera tjera që janë vaxhib, e lere më atyre që janë mustehab!
Pse pjesa tjetër të mos lejohet që të recitohet në gjuhën shqipe, kur hoxhallarët tuaj tashmë e kanë lejuar që lutja në sexhde, të bëhet edhe në gjuhën shqipe?!!!

Ku e keni argumentin sheriatik, që ata të cilët nuk e dijnë gjuhën arabe, nuk u lejohet të falën në gjuhën shqipe?! Kujdes, jo çdo gjë që neve e kemi trashëguar, është në të njëjtën kohë argument sheriatik.
Unë mendoj që ja vlen të diskutohen këto çështje juridike, dhe nuk ka pse të stagnohet mendimi islam.
Argumentet e atyre qe e lejojnë namazin në gjuhën amtare në më krye Ebu Hanifen, në këtë çështje janë të shumta.
Mua o Behar, nuk më janë përzier meseletë dhe askush s’më ka bërë sehir, sepse nuk besoj në broçkulla të tilla dhe nuk fryj neper ujë sikurse ti.

Jam i gatshëm që këtë temë apo edhe temat e tjera, t’i diskutojmë shtruar dhe me argumente, me ty apo cilindo që mendon ndryshe, edhe pse e shoh që ti dhe sivëllezërit e tu nuk jeni në gjendje ta pranoni një sfidë të tillë.
Kaq për këtë afishe.
Shkroi: Drilon Gashi
Pejë, 02 qershor, 2019