Fjalë Kyçe

Hoxhaj: E kam ftuar Konventën që gjenerata e re ta marrë drejtimin e partisë

Hoxhaj: E kam ftuar Konventën që gjenerata e re ta marrë drejtimin e partisë

Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë në hapjen e punimeve të Konventës zgjedhore të PDK-së se PDK-ja nuk është parti e krijuar në zyre të nxehta, por një parti që ka lindur nga lufta e shenjtë e UÇK-së dhe nga burgjet e ftohta të Serbisë.

“Një parti e cila ka lindur nga lufta e shenjtë UÇK-së, një parti e cila ka lindur nga burgjet e ftohta dhe të errëta të Serbisë. Ne nuk jemi parti e cila është krijuar në zyre të nxehta”, ka thënë Hoxhaj.

Duke folur për moskandidaturën e tij për të parin e PDK-së, Hoxhaj ka thënë se kur e ka ftuar Konventën, e ka bërë me qëllim që drejtimin e partisë ta marrë gjenerata e re.

“Kur kam insistuar që ta ftojë këtë Konventë, kam synuar një gjë, që gjenerata e re ta marrë drejtimin e partisë. Kryetrari i ri që do të dalë nga kjo Konventë do ta ketë mbështetjen e të gjithë neve”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka përmendur ish-liderin e PDK-së Kadri Veseli dhe ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ata do të kthehen faqebardhë në Kosovë.

“Kjo konventë për ne është e pazakontë sepse është pa kryetarin Veseli dhe pa presidentin Thaçi. Jam i bindur që kryetari dhe presidenti do të kthehen fitimtar dhe faqebardhë sepse lufta jonë ka qenë e drejtë, ka qenë e pastër dhe e cila ka pasur mbështetjen e gjithë botës demokratike. Ata do t’i kthehen familjeve të tyre dhe PDK-së sikurse kthehen heronjtë dhe legjendat e moçme”, është shprehur Hoxhaj.

Sipas tij, PDK-ja do të rikthehet si partia më e fuqishme në vend, dhe se për këtë, ka nevojë të reflektojë dhe të reformohet.