Fjalë Kyçe

Hoxhaj i quan partitë e tjera rezervë të PDK-së

Hoxhaj i quan partitë e tjera rezervë të PDK-së

Zëvendëskryeministri në largim dhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka quajtur LDK-në rezervë të PDK-së, derisa ka kujtuar se ata kanë bërë koalicion me ta edhe kur kanë thënë që kanë vija të kuqe.

Vijat e kuqe, sipas Hoxhajt bien ndesh me atë që ka ndodhur deri më tash.

“Ne kemi qeverisur me LDK-në dy herë edhe pse kanë thënë se kanë vija të kuqe me PDK-në. Edhe AKR-ja që ka thënë se nuk hyn në koalicion parazgjedhor me ne, dhe pas zgjedhjeve u afrua me PDK-në. Edhe në Aleancë herë pas here ka pasur zëra të tillë”, ka thënë Hoxhaj, në Interaktiv të KTV-së.

“Ne e kemi metaforën që ne jemi në fushë të blertë dhe të tjerët janë rezervë. Sa herë na duhen i nxjerrim prej rezervës dhe i fusim në lojë”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka thënë se ajo që është e sigurt është se PDK-ja do të dalë fituese në zgjedhjet e ardhshme.

Duke folur për sondazhet, që nuk e qesin PDK-në të parën, Hoxhaj ka thënë se kështu ka ndodhur edhe në vitin 2014, por se rezultati i zgjedhjeve e tha të kundërtën.

“Sondazhet e masin disponimin e qytetarëve 2 muaj më herët, e jo në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se në mandatin e ardhshëm PDK-ja nuk do të lëshojë pe për pozitën e kryeministrin.

“Nuk do të japim pozitën e kryeministrit dhe të shohim në atë pozitë njerëz që nuk kanë aftësi për të qeverisur me vendin dhe për të marrë vendime”, ka thënë Hoxhaj.

“Absolutisht nuk hymë në një qeveri ku vullnetin e votuesit të PDK-së ia dorëzojmë dikujt tjetër siç ka ndodh dy herët e kaluara. Prandaj e nominojmë kryetarin për kryeministër dhe i drejtohemi qytetarit me programin tonë”, ka thënë ai.