Fjalë Kyçe

Hoxhaj: Me Kurtin e Osmanin i biseduam 10 tema, kërkova qartësi në qasjen e tyre

Hoxhaj: Me Kurtin e Osmanin i biseduam 10 tema, kërkova qartësi në qasjen e tyre

Ka përfunduar takimi mes të parit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani me ushtruesin e detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe sekretarin e kësaj partie, Uran Ismaili.

Hoxhaj pas përfundimit të takimit foli për mediat, duke thënë që PDK-ja i ka qëndrimet e qarta, ndërsa tregoi se çka kanë kërkuar nga Kurti.

“Temë kryesore ishte bashkëpunimi për temat e jashtme, ne kemi kërkuar nga Kurti dhe Osmani qartësi për qasjen e tyre me politikën e jashtme, meqë presidenti ka rol në përfaqësimin e Republikës, qeveria ka rol të madh në përfaqësimin e politikës së jashtme, prandaj edhe sjellja jonë në raport me krijimin e institucioneve, para se ta marrim vendimin në organet e PDK-së, varet prej 10 qëndrimeve që i kemi ngrit në takim”, tha Hoxhaj.

I pari i PDK-së zbuloi 10 qëndrimet e partisë së tij, që kërkuan qartësim edhe nga Kurti e Osmani në takim.

“Së pari, sa herë ka pas zgjedhje të qeverisë apo presidentit, ju e dini që institucionet e Kosovës janë sulmuar dhe është ushtruar dhunë ndaj tyre, në seancë duke hedh gazë dhe së fundmi kur e kemi zgjedh presidentin, është godit vet godina. Ne e kemi pyet Kurtin a distancohet nga kjo dhunë politike. Së dyti meqë dialogu Kosovë-Serbi dhe normalizimi i marrëdhënieve është sfidë kryesore e qeverisë së ardhshme, Kurti dhe VV-ja kanë thënë se pa kërkuar falje Serbia për krimet që ka shkaktuar dhe pa i gjetur të gjithë të pagjeturit nuk do të ulen në tavolinë me Serbinë. Së treti kanë pas qëndrim se do ta anulojnë Asocacionin e komunave serbe. Së katërti e kam ngrit si çështje demarkimin e kufijve me Malin e Zi, a do ta kthejë kufirin në Zhleb dhe Çakorr, një temë që është përdor për politikat e brendshme dhe ka qenë e jashtme. A e respektojnë marrëveshjen e Uashingtonit në tërësi dhe në këtë drejtim cili është qëndrimi i tyre për mini-shengenin, që e kemi kundërshtuar ne dhe vet Kurti. Gjatë qeverisë Hoti është suspenduar politika e jashtme përmes moratoriumi duke hequr dorë nga anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, cili është qëndrimi i tyre. A do të vendosë qeveria e ardhshme reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kemi ngrit një listë të temave, sesi e shohim raportin tonë si opozitë në raport me institucionet që do të krijohen”, deklaroi Hoxhaj.

Sa i përket çështjes së presidentit, Hoxhaj theksoi se fillimisht duhet të flitej për parime dhe jo emra, duke shtuar se ky është takimi i parë pas 10 vitesh mes qeverisë së ardhshme dhe opozitës, që krejt kjo, sipas tij, ka ardhur falë kërkesës së PDK-së.

“Së pari ne mendojmë me procesin e krijimit të institucioneve, para se të flitet për personin duhet të flitet për parime, sesa kush mund të jetë president. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe qartësi politike, kemi nevojë për lider për unitet, dhe i avancojnë në marrëdhëniet e jashtme. Pas 10 vitesh, ky është takimi i parë i cili ndodh në mes të qeverisë së ardhshme dhe opozitës, dhe kjo ndodh falë kulturës politike të PDK-së dhe qasjes tonë si parti, për të dhënë kontribut. Për herë të parë pas 10 viteve qeveria dhe opozita janë takuar për formimin e institucioneve, konkretisht për zgjedhjen e presidentit. Në vitin 2011, e kemi zgjedh Jahjagën president pas takimit me Isa Mustafën”, vijoi ai.

Ndërkohë, Hoxhaj vlerësoi se takimi me Kurtin ishte shumë i mirë dhe konstruktiv.

“Kishim një takim shumë të mirë me kryetarin e VV, Albin Kurti dhe Osmanin, nga koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve dhe ishte takim nga kërkesa e jonë pasi formimi i institucioneve vetëm përmes bisedimeve. Qasja jonë në takim ka qenë konstruktive dhe parimore, dhe ne kem pasë kërkesa dhe çështje të qarta që i kemi ngrit në takim”, përfundoi Hoxhaj.