Fjalë Kyçe

Hoxhaj: Mos përfshirja e njohjes reciproke në planprogramin e qeverisë së re gjermane, shqetësim serioz për Kosovën

Hoxhaj: Mos përfshirja e njohjes reciproke në planprogramin e qeverisë së re gjermane, shqetësim serioz për Kosovën

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka dhënë mendimin e tij lidhur me zgjedhjen e qeverisë së re gjermane, duke përmendur disa qëndrime gjermane ndaj Kosovës.

Hoxhaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se qeverisja e re gjermane në marrëveshjen e koalicionit nuk përmend njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë, si qëndrim gjerman.

Këtë, Hoxhaj e quan shqetësim serioz për Kosovën, duke shtuar se nuk përmendet as marrëveshja obligative ligjore që duhet të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, qëndrim ky i cili ishte propozim gjerman në nivel evropian!

Shkrimi i plotë:

Jo çka thuhet, por çfarë nuk thuhet ka peshë në politikë të jashtme!

Joshka Fisher dhe Guido Westerwelle më kanë treguar se si ata kur ishin bërë ministra të jashtëm në qeveri të re dhe program të ri, kishin marrë përsipër edhe zotimet e vjetra të qeverisë paraprake! Dje, u paraqit përpërja dhe programi i qeverisë së re në Berlin, por ende nuk e dijmë se çka do të ndodhë me zotimet e vjetra!

Çfarë thanë tri parti gjermane (Socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët) në marrëveshjen e koalicionit qeveritar për Kosovën dhe Ballkanin, është e duhur dhe e pritur.

Sa i përket Kosovës, në program thuhet qartë se Gjermania kërkon heqjen e vizave për kosovarët dhe përkrah dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, mungon edhe diçka shumë e rëndësishme për Kosovën; e ardhmja e saj dhe e Ballkanit.

Në marrëveshjen e koalicionit gjerman nuk përmendet njohja e ndërsjellë, gjë që është një shqetësim serioz për Kosovën! Për më tepër, nuk thuhet asgjë për marrëveshjen obligative ligjore që duhet të arrihet në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila fillimisht ishte propozim gjerman në nivel evropian! Ishte Angela Merkel, e cila në vitin 2011 paraqiti tri kushte gjermane gjatë një takimi me Boris Tadiqin në Beograd! Ishte një delegacion i CDU-së nën udhëheqjen e Andreas Schockenhoffen, që paraqiti 12 kushtet gjermane për Serbinë në rrugën e integrimit evropian të saj.

Thelbi i këtyre kushteve gjermane ishte arritja e marrëveshjes obligative ligjore. Kështu, njohja e Kosovës u vendos si kusht për Serbinë për anëtarësimin e saj në BE dhe qëndrimi gjerman u shndrrua në pozicion të përgjithshëm evropian që nga vitet 2011/2012.

Ky, është shqetësimi i madh dhe i vetëm që unë kam për qasjen e qeverisë së re në raport me dialogun! Në politikë të jashtme më me rëndësi është ajo çka nuk thuhet, sesa ajo çka thuhet!