Fjalë Kyçe

Hoxhaj, Mustafës: A është ky qëndrimi i LDK-së apo i VV-së

Hoxhaj, Mustafës: A është ky qëndrimi i LDK-së apo i VV-së

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i është përgjigjur deklaratave të liderit të LDK-së, Isa Mustafa, dhe partisë së tij që sot bëri ndaj Partisë Demokratike, përmes një postimi në Facebook.

Hoxhaj tha se asnjëherë nuk është vonë për LDK-në që ta japë kontributin e saj për përmbylljen e shtetndërtimit të Kosovës. Tha se LDK-ja duhet të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të fillojë të ketë vendime të prera për çështjet e rëndësisë shtetërore.

“Asnjëherë nuk është vonë për LDK-në ta japë kontributin e saj për ta përmbyllur shtetndërtimin e Kosovës. Është momenti i fundit për LDK-në që të këndellet nga gjumi i thellë në të cilin ka rënë dhe të mos i përsërisë gabimet e së kaluarës duke qenë në bisht të proceseve politike dhe historike”, deklaroi Hoxhaj.

Ai theksoi se beson që brenda kësaj partie, pra LDK-së, ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit, duke u bërë bashkë kundër Serbisë, e jo duke u marrë me njëri-tjetrin. Ndërkohë ai tha se mungesa e vendimit të prerë po bën që shpeshherë LDK-ja të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane dhe shumë herë të sillet si ekstreme e ngjashme me VV-në.

“Dua të besoj se brenda kësaj partie ka vullnet, dije dhe guxim për të vepruar në interes të vendit duke u bërë bashkë që të merremi me Serbinë dhe jo me njëri-tjetrin. Por duket që problemi është diku tjetër – nuk ka një mendim të prerë dhe të vendosur për asgjë. E mbi të gjitha kjo parti herë synon të thirret në trashëgiminë e saj rugoviane e herë të sillet si ekstreme duke i ngjarë VV-së”, përfundoi Hoxhaj postimin e tij.