Fjalë Kyçe

Hoxhaj: PDK e kishte denoncuar Rrahim Hashimin më 2014

Hoxhaj: PDK e kishte denoncuar Rrahim Hashimin më 2014

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo parti e kishte denoncuar rastin kriminal të fajdeve në vitin 2014.

Sipas tij, megjithatë, hetimet nuk vazhduan deri në fund.

Të hënën u arrestuan pesë vetë nën dyshimin për fajde, e në videot e publikuara ekskluzivisht nga Koha dëgjohen disa njerëz të cilët lidhin aktivitetet edhe me emrin e kryeparlamentarit dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.  Të arrestuar ishin: Rrahim Hashimi, Ismet Osmani, i njohur si “Curri”, Ilir Bojku, Mentor Maqani dhe Adil Thaqi.

“Rrahim Hashimi, personi kyç në këtë grup kriminal është denoncuar në vitin 2014 nga nënkryetari i PDK-së dhe Kuvendit, Xhavit Haliti, pasi që ia kishte përdorur emrin, njësoj siç tani ndodhi. Tani pyetja është pse nuk u hetua ky rast deri në fund. Rasti për të cilin ka qenë subjekt kjo video është mbyllur pa përfunduar hetimet dhe pa u vënë para përgjegjësisë penale akterët e këtij krimi të organizuar”, ka deklaruar Hoxhaj në një konferencë për media.

Hoxhaj ka theksuar ky rast nuk mund ta ndalë agjendën shtetformuese të PDK-së.

“Kjo nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së provave dhe as të mungesës së resurseve, por është penguar qëllimshëm nga ana e akterëve të caktuar. Për këtë arsye sot kërkoj sqarim të këtij rasti deri në fund. Asnjë përpjekje e grupeve kriminale për ta njollosur figurën e kryetarit të PDK-së nuk na ndalë në agjendën tonë shtetndërtuese”, përfundoi ai.