Fjalë Kyçe

Hoxhiqi mbetet jashtë Kuvendit pas vendimit të Supremes

Hoxhiqi mbetet jashtë Kuvendit pas vendimit të Supremes

Ankesa e Adrijana Hoxhiqit kundër PZAP-së është refuzuar nga Gjykata Supreme të premten.

PZAP-ja kishte arsyetuar se “votat e marra nga Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hoxhiq dhe Koalicioni VAKAT, janë në disproporcion me numrin e banorëve të komunitetit boshnjak, komunitet që i përkasin edhe subjektet ankuese por edhe subjekti i atakuar, paraqesin vota të pavlefshme për faktin se është standard jodemokratik, që me votat e votuesve të një komuniteti të sigurohet e drejta e përfaqësimit të një komuniteti tjetër dhe si të tilla nuk paraqesin lidhje objektive në mes të votuesit dhe subjektit të votuar”.

Në përputhje me të, Gjykata ka vlerësuar se përfundimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.

“…është provuar se numri i votave të fituara nga subjekti politik Ujedinjina Zajednica – Adrijana Hodzic, nuk përputhet me numrin e votuesve të komunitetit për të cilin ka konkurruar, si përfaqësues në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 14 shkurtë 2021, në Komuna të caktuara”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

“Paneli në bazë të hetimit ex-officio, ka konstatuar fakte thelbësore të mjaftueshme përmes provave të mbledhura të cilat edhe nga Gjykata Supreme, çmohen si kredibile, e në bazë të cilave provohet se subjekti politik Ujedinjena Zajednica – Adrijana Hodzic, i certifikuar si subjekt politik për vendet e rezervuara të komunitetit boshnjak, ka fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës me votat e votuesve të një komuniteti tjetër”, thuhet tutje.

Të hënën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi të anulonte votat e partive boshnjake në komunat me shumicë serbe dhe të votave të subjektit Iniciativa Rome në ato komuna. Në total janë anuluar 5.813 fletëvotime nga numri total i 877.497 sa ishin llogaritur të vlefshme nga KQZ-ja. Pas anulimit, Hoxhiq humb ulësen në Kuvend.