Humbje që dhemb, Lushtaku kritika në referim
March 1, 2019
Drenica ishte afër të kthehej me një pikë nga Gjilani. Megjithatë, në kohën shtesë pranoi dy gola nga Drita dhe u desh të kthehet duarthatë.
Trajneri i ekipit skenderajas, Tahir Lushtaku ka theksuar se kjo ishte një humbje e dhimbshme.
“Është e dhimbshme sepse ndeshjen e humbëm në minutat shtesë dhe nga ajo çfarë treguan futbollistët në fushë nuk ishte e drejtë. Më duhet të pranoj se kundërshtari kishte më shumë sa i përket posedimit të topit, por që nuk na rrezikoj shumë. Në duhej të ishim më të rrezikshëm në fazën e sulmit për ta vënë ekipin kundërshtarë në vështirësi”, theksoi Lushtaku për SuperSport.
Ai u ndal pak edhe te referimi.
“Gjithashtu më duhet të theksoj edhe ndryshimin e kriterit të referimit nga pjesa e parë në pjesën e dytë. Ndoshta edhe pa tendencë, por është parë shumë mirë se gjyqtari kryesor favorizoi ekipin vendase në disa situata të caktuara të lojës. Rezultati i ndeshjes nuk është si faktor i arbitrimit, por që ka ndikuar mjaft shumë në këtë ndeshje, sidomos në pjesën e dytë. Komisioni për delegimin e gjyqtarëve duhet të ketë më tepër kujdes, pasi ky është referi i njejtë edhe në Suharekë ndaj Ballkanit që ka patur të njëjta sjellje”, përfundoi Tahir Lushtaku.
Drenica vazhdon të mos ndjejë stabilitet në renditje.