Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal në Shqipëri, Majlinda Bregu, ka njoftuar se nga 1 korriku tarifat e roamingut do të ulen në Ballkanin Perëndimor.
Ajo ka thënë se tarifat për shqiptarët në rajon do të ulen në 99 për qind.
“Erdhi dita. Fol si n’shpi! Prej sot tarifat e roaming ulen për të gjithë në rajon e për shqiptarët deri në 99 për qind”, ka shkruar Bregu në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka pas nënshkrimit të marrëveshjes me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Beograd pati treguar edhe çmimet që do të paguajnë qytetarët jashtë vendit.
“Është një marrëveshje e arritur midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të fillojë të implementohet nga korriku i këtij viti. Më 1 korrik do të kemi çmim prej 0.19 centë në minutë për thirrje, kurse 0.6 centë për sms, kurse 2.5 centë për MB internet. Ndërsa në vitin 2021, kjo marrëveshje do të zbatohet në tërësi”, kishte thënë Lluka.