Javët e fundit, pasi Telesport zbuloi se Napoli është duke kërkuar një mbrojtës që luan në krahun e Elseid Hysaj, mediat e huaja zbuluan se për këtë të fundit Chelsea ka përgatitur një ofertë zyrtare, që shkon në 20 milion paund.
Mirëpo, edhe pse transferimi duket se është shumë pranë, largimi i Hysajt drejt Londrës do të ketë pasoja për Maurizio Sarrin. Ky i fundit, në kohën që u largua nga Napoli dhe firmosi si trajner i Chelsea, bëri një marrëveshje me De Laurentisin, ku firmoste se nuk do të merrte asnjë lojtar nga Napoli te Chelsea.
Marrëveshja është e shkruar dhe tashmë që transferimi i Hysaj drejt Anglisë është shfaqur në horizont, mediat italiane kanë publikuar lajmin se nëse kjo do të ndodhë, Sarri rrezikon të paguajë një dënim të lartë. Sipas asaj që raporton “Areanapoli”, nëse Chelsea kërkon Hysajn, Sarri duhet të paguajë një dënim të rëndë. “Marrëveshja me shkrim parashikon se një blerje e mundshme e një lojtari të Napolit nga Chelsea, do të shkaktojë ndëshkimin e ish-trajnerit.
Ky realitet, është një ‘bllok’ i vërtetë, i parashikuar nga marrëveshjet me shkrim midis Napolit dhe ish-trajnerit të saj, i cili në mënyrë efektive anulon çdo mundësi të transferimit të lojtarëve nga ‘blutë’ italiane te ‘blutë’ e Londrës. Në fakt, ai që do e pësojë, në kuptimin e plotë të fjalës, do të ishte Sarri”-shkruan sajti italian.
Kështu rrugët e transferimit janë të mbyllura nga “San Paolo” në “Stamford Bridge”. Një lajm i keq për më shumë se një lojtar të Napolit, duke filluar me Elseid Hysajn.