Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skënder Hyseni, ka reaguar pas deklaratave të Albulena Haxhiut të Vetëvendosjes e cila sot ka thënë se LDK’ja po i kopjon frazat e VV’së në fushatë.
Ai këtu ka përmendur edhe koalicionin parazgjedhor me VV’në për të cilin thotë se partia e tij ka bërë çdo përpjekje për të arritur marrëveshjen, por VV’ja duket se pretendonte të kundërtën.
Hyseni ka shkruar në Facebook se partia e tij nuk e ka traditë t’i japë leksione asnjë subjekti tjetër politik se si duhet të sillet rreth fushatës zgjedhore.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka në traditën e saj t’i jap leksione asnjë subjekti tjetër politik në vend se si duhet të sillet gjatë fushatës zgjedhore. Edhe më pak, LDK ka nevojë të, siç thuhet në një deklarim të një zyrtarje të VV-së, “kopjojë frazat dhe premtimet e VV-së”. Pra, me mirësjellje refuzojmë këtë tip leksioni pavarësisht nga vjen. LDK , krahas kandidates Vjosa Osmani për të parën e Qeverisë, që është mishërim i një politikanje moderne dhe shume dinamike, me integritet të pakontestueshëm profesional e njerzor, ka nje program të shkëlqyer për qeverisje prosperuese të vendit, dhe një listë impressive kandidatesh për ulëse në Kuvendin e Republikës’, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka shtuar se beson në fitoren e LDK’së në zgjedhjet e 6 tetorit, duke shtuar se është e hapur për koalicione paszgjedhore me çdo parti, përveç PDK’së.
Ai ka thënë se partia e tij ka bërë çdo përpjekje për të arritur koalicionin parazgjedhor me Vetëvendosjen e Albin Kurtit, e bartëse e listës të jetë kandidatja e LDK’së për Kryeministre, Vjosa Osmani, por që sipas tij kjo nuk u arrit sepse VV’ja synonte krejt të kundërtën.
“Pra, LDK ka guximin, dijen dhe besimin se 6 tetori do ta nxjerr fituese të zgjedhjeve. Lidhja Demokratike, për arsyet që dihen, me votë unanime të Këshillit të saj të Përgjithshëm, ka përjashtuar çfarëdo koalicioni me PDK-në. Dhe, kjo mbetet kështu. Ndërkaq, me VV-në LDK ka bërë çdo përpjekje të arrinte mirëkuptim për koalicion parazgjedhor me Vjosa Omanin, kandidate për KM. Kjo nuk u arrit, ashiqare ngaqë VV pretendonte të kundërtën. Sidoqoftë, LDK mbetet e përkushtuar që si fituese e zgjedhjeve, pas 6 tetorit, para së gjithash me VV-në, po edhe me partitë tjera (përjashto PDK-në), të bashkërendojë veprimet për një Qeveri të udhëhequr nga LDK, për një ndryshim të madh” shkruan Skënder Hyseni në Facebook.
Ndërkaq Albulena Haxhiu sot ka thënë se LDK’ja o kërkon që të mos kritikohet nga VV’ja, por sipas saj po i kopjon frazat e VV’së.
“LDK po thotë mos na kritikoni, sepse kjo prish mundësinë e koalicionit paszgjedhor. E para: pse po kanë frikë nga kritikat tona e s’po kanë frikë të kopjojnë frazat e premtimet tona. E dyta: a i bie kjo që nëse ne i kritikojmë ata shkojnë me PDK? Pas 30 gushtit, gjithçka është qartësuar anda j secili subjekt duhet të marrë përgjegjësitë e veta”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.