Fjalë Kyçe

I akuzuari dënohet me 3 muaj burgim me kusht pasi pranoi se e ka sulmuar fizikisht gruan e tij

I akuzuari dënohet me 3 muaj burgim me kusht pasi pranoi se e ka sulmuar fizikisht gruan e tij

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht të akuzuarin për veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, I.V.Dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet, nëse në periudhën një vjeçare nuk kryen vepër tjetër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi është shpallur të martën nga gjykatësi Mizahir Shabani, pasi që i akuzuari paraprakisht e ka pranuar fajësinë për akuzën që i vihej në barrë.Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Nazmi Krasniqi, I.V. ka thënë se pendohet për rastin që ka ndodhur, duke kërkuar një dënim më të butë, me arsyetimin se tashmë janë pajtuar më të dëmtuarën.Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Krasniqi, e më pas e ka aprovuar gjykatësi Shabani.I.V. gjithashtu është obliguar me pagesën e shpenzimeve procedurale, në shumën prej 60 euro në total.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2021, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, I.V. me 19 janar 2021 shkakton dhunë në familje, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore bashkëshortes së tij, J.S.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që deri sa i pandehuri kishte konsumuar alkool, kur shkon në shtëpi, për shkaqe xhelozie fjaloset me të dëmtuarën, e më pastaj në prezencën e tre fëmijëve të tyre e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht në fytyrë.

Për këtë ai akuzohej se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4. të KPRK-së, e cila vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet.