Fjalë Kyçe

I burgosuri i falur që mbyti me 34 plumba vrasësin e vëllait

I burgosuri i falur që mbyti me 34 plumba vrasësin e vëllait

Në vitin 2007 një vrasje që ndodhi në qytetin e vogël të Shtimes tronditi tërë Kosovën. Nazmi Mujota mbyti me 34 plumba vrasësin e vëllait të tij, ndërsa me dekretin e presidentit Thaçi është i lirë. Atij i janë falur dy vjet nga dënimi i tij, shkruan Gazeta Metro.

Në shkurt të vitit 2010, Nazmi dhe Nijzai Mujota kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje’. Dy vëllëzërit kishin kryer këtë vrasje për motive hakmarrëse ndaj familjes Becaj, e cila kishte privuar nga jeta Fadil Mujotën, vëllain e Nazmi Mujotës.

Kjo, sipas njoftimit të Gjykatës Themelore të Ferizajt, të lëshuar në prill të vitit 2015.

“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, sot ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarit N.M, për kryerjen e veprave penale vrasje e rëndë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve, duke shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 18 vite dhe dënim me gjobe në shumë prej 600 euro”, thuhej në komunikatën e gjykatës, njofton Telegrafi.

Po ashtu në njoftimin e gjykatës, shpjegohej edhe në detaje arsyeja e të dënuarit tashmë të falur nga presidenti Thaçi.

“Të akuzuarit N.M dhe Nj.M, shtetas të Republikës së Kosovës, sipas aktakuzës së Prokurorit të Shtetit janë akuzuar se me datë 07.11.2007, rreth orës 15:30, në pompën e benzinës “Granit Petrol” në fshatin Belinc, Komuna Shtime me dashje direkete me motive të hakmarrjes kanë privuar nga jeta tani të ndjerin  B.B, dhe po ashtu kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm ndaj të dëmtarit R.M, me çka kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale vrasje e rëndë”, thuhej në njoftim

Nazmi Mujota, nga Mollopolci i Shtimes, ishte dënuar me 18 vjet burg për vrasje.