Fjalë Kyçe

I buzëqeshur! Momenti kur 17-vjeçari del nga Gjykata, përshëndet familjarët

I buzëqeshur! Momenti kur 17-vjeçari del nga Gjykata, përshëndet familjarët

17-vjeçari, Florian Përvathi i cili vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj do të qëndrojë në burg pa afat. Ai u njoh këtë të enjte me masën e sigurisë në Gjykatën e Lezhës.

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura dhe që zgjati rreth 60 minuta adoleshenti është shfaqur në gjendje të rënduar psikologjike dhe nuk ka folur asnjë fjalë për krimin e kryer. Pasi dëgjoi palët gjyqtari Artan Hajredinaj, pranoi kërkesën e prokurorit Sabri Kastrati dhe vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për 17-vjeçarin Florian Përvathi. Ndaj adoleshentit janë ngritur tre akuza “Vrasja për gjakmarrje”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve te gjuetisë dhe sportive”.

Avokati i të miturit Andi Duraj, duke folur për mediat pasi doli nga Gjykata tha se ngjarja në të cilën është përfshirë klienti i tij, ka dy viktima, viktima e parë është 65-vjeçari që humbi jetën nga 6 plumbat, dhe e dyta autori i veprës, pasi sipas tij është rritur me urrejtje dhe në këtë drejtim nga ndikuar dhe opinioni publik.

“Nuk pritej një vendim tjetër, për shkak të veprës, është me rrezikshmëri të theksuar shoqërore. Është rasti i parë që ka dy viktima. Viktima e parë është 65-vjeçari dhe e dyta që nuk besoj të jetë e fundit, autori i veprës penale. Nga pak të gjithë e kemi nxitur të kryejë kështu lloj krimesh, si gjakmarrja, qoftë media, qoftë opinioni shoqëror që është rritur me një urrejtje të tillë”, tha avokati.

Gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë para duarve të gjykatës ishin familjarë e të afërm të adoleshentit për të cilin nuk i kursyen lotët e dhimbjes pasi u “detyrua” t’i merrte jetën bashkëfshatarin e tij Lek Lekgjonaj, në emër të fenomenin më të “kalbur” shqiptar, gjakmarrjes.

17-vjeçari Florian Përvathi ekzekutoi të hënës më armë zjarri fqinjin e tij Lek Lekgjonaj, pasi vëllai i këtij i të fundit i kishte vrarë babanë në vitin 2009./shqiptarja.com