Fjalë Kyçe

I dyshuar për ryshfet, deri dje në arrati për rastin “Brezovica” – biznesmeni Gashani akuzohet edhe në rastin “Toka 2”, për “shpërlarje të parave”

I dyshuar për ryshfet, deri dje në arrati për rastin “Brezovica” – biznesmeni Gashani akuzohet edhe në rastin “Toka 2”, për “shpërlarje të parave”

Fiks dy javë pasi Krimet e Rënda të Prishtinës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, i bastisën shtëpinë biznesmenit Bajram Gashani, pronari i “BAU Holding” të mërkurën është kapur nga Policia, pasi i njëjti ndodhej në arrati. Kjo nuk është hera e parë që biznesmeni në fjalë ka telashe me ligjin. Gashani është një nga të akuzuarit në rastin e njohur “Toka 2” ku dyshohet për shpërlarje të parave.

Arrestimin e biznesmenit Bajram Gashani e kanë konfirmuar Policia e Kosovës në raportin 24 orësh, dhe gjithashtu edhe Porkurori i Shtetit, Rasim Maloku për Gazetën Online Reporteri.net.

Sipas Policisë, Gashani u arrestua të mërkurën rreth orës 15:00 dhe është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit të shtetit.

“DHËNJE E RYSHFETIT & USHTRIM I NDIKIMIT-Brezovicë, Shtërpcë, Viti 2016. Në lidhje me rastin më 05.10.2022 është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar i cili me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pronari i “BAU Holding” po dyshohet për ryshfet, në rastin e njohur si “Brezovica”. Më 21 shtator 2022 kur iu bastisë shtëpia Gashanit e nuk u gjet aty, Policia dhe Prokuroria kryen aksion në gjithsej 11 lokacione të ndryshme, që rezultuan me gjithsej 7 të arrestuar atë ditë.

Grupi i të arrestuarve në fjalë, sipas njoftimit të Prokurorisë së Shtetit dyshohen se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 422, “Fajdeja” nga neni 331 dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në njoftim, Prokuroria nuk i kishte ndarë se kush për cilën vepër penale është i dyshuar, veçse veçmas për të bastisurit dhe të arrestuarit kishte treguar se çfarë u është gjetur atyre pas bastisjeve.

Sipas njoftimit, Prokuroria gjatë kontrollit tek Gashani, kishte bërë të ditur se ka gjetur dhe sekuestruar: “Një revole me nr serik 54A 040356; 9 fishekë te cal; 45 mm Dy karikator te revoles; Një kallf i revoles”.

Gazeta Online Reporteri.net ka provuar disa herë të marrë sqarime nga Gashani dhe biznesi i tij në lidhje me dyshimet e fundit ndaj biznesmenit, por askush deri më tani nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara me e-mail.

Biznesmeni që dyshohet se “shpërlau para” në rastin Toka 2
Pronari i “BAU Holding” dhe disa bizneseve tjera, nuk është hera e parë që ka telashe të mëdha me ligjin dhe që del i dyshuar për përfshirje në raste të bujshme penale.

Bajram Gashani është edhe një nga të akuzuarit në rastin e njohur si “Toka 2”, për dyshimet për dallaveret me pronat në Çagllavicë, ka raportuar Gazeta Online Reporteri.net më 22 shtator 2022.

Për këtë rast, akuzohen gjithsej 51 persona, të ndarë në dy aktakuza, dhe ndër ta i akuzuar është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Në aktakuzën në fjalë, “Toka 2”, biznesmeni Gashani akuzohet për “shpëlarje të parave”, bashkë me 7 të tjerë që ngarkohen me këtë vepër penale nga Prokuroria e Shtetit. Pjesa tjetër e grupit akuzohen për vepra të tjera penale si “Krim të organizuar”, “Nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore”, “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar” dhe vepra të tjera penale.

Aktakuza ishte ngritur qysh në vitin 2017, por se ky proces gjyqësor ende nuk ka marrë epilog. Të fundit herë, seanca ishte paraparë të mbahej me 20 korrik të këtij viti, por se kishte dështuar të mbahej për shkak se kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri, gjendej në pushim mjekësor.

Në tetor të vitit 2017, Gashani, bashkë me 23 të akuzuarit tjerë në rastin “Toka 2”, para gjykatës ishte deklaruar se ndihet i pafajshëm për akuzën e ngritur ndaj tij.

Ndryshe, gjykimi i rastit “Toka” llogaritet si shembull i dështimit të sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për shkak të neglizhimit dhe mos përfundimit të procesit gjyqësor i nisur disa vite më parë.

Komplet grupi, prej 51 të akuzuarve, të ndarë në dy aktakuza dyshohen se e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës për 30 milionë euro duke përvetësuar në mënyrë kriminale pronat shtetërore te personat fizikë.

Dy të akuzuarve në këtë rast, u është arritur parashkrimi absolut i veprës penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkaku i vonesës në epilogun e gjyqit.

“BAU”- Bizneset milionëshe të Gashanit
Biznesmeni Bajram Gashani i akuzuar në rastin “Toka 2”, e që u kap dje nga Policia për rastin “Brezovica”, në ARBK del se i ka të regjistruara në pronësi të paktën tre biznese, në njërin prej të cilit ka deklaruar që ka kapital gati 2 milionësh, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

“BAU HOLDING L.L.C.“, rezulton të jetë biznesi më i madh i tij, ku ai është pronar i 100% të aksioneve të pikave të “BAU Market” dhe 13 njësive tjera gjithsej të kësaj kompanie që kapitalin në shtet e ka deklaruar 1,965,124.00€.

Pos “Bau Holding”, në pronësi të Gashanit del të jetë edhe “BAU-PRO SH.P.K.“, që aktivitet primar ka “Prodhimin e tullave, tjegullave dhe produkteve ndërtimore në argjilë të pjekur”.

Gjithashtu, “BAU REAL ESTATE SH.P.K.“, një biznes i blerje/shitjeve të patundshmërisë del të jetë i regjistruar 100% në pronësi të biznesmenit të arrestuar dje për rastin “Brezovica” dhe i akuzuar qysh në vitin 2017 për “shpërlaje të parave” në rastin “Toka 2”.