Fjalë Kyçe

I jepet lamtumira e fundit Ahmet Hoxhës, 55-vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Kroaci

I jepet lamtumira e fundit Ahmet Hoxhës, 55-vjeçarit që vdiq nga aksidenti në Kroaci

Është varrosur Ahmet Hoxha, një nga mërgimtarët që gjeti vdekjen në aksidentin e së dielës në Kroaci.

Për t’i dhënë lamtumirën e fundit 55-vjeçarit nga Prizreni kishin dal familjarë, të afërm e qytetarë të tjerë.

Ai u varros në varrezat e fshatit Randobravë të Prizrenit.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

Në spitalin e Sllavonski Brodit vazhdojnë trajtimin edhe 15 pasagjerë të lënduar – njëri prej tyre në gjendje të rëndë, tha ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Sipas tij, një pasagjere po trajtohet në spital të Zagrebit.

Vitia tha se nga pasagjerët e liruar nga spitali, katër prej tyre kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani.