Me maskë, leje të falsifikuar të vozitjes dhe të dhëna personale të marra nga interneti. Kështu, sipas prokurorëve amerikanë, një burrë arriti të vjedhë më shumë 100 mijë dollarë në kazino.
I dyshuari me emrin John Colletti u maskua si person i moshuar për t’iu shmangur kapjes nga autoritetet, shkruan “CNN”, transmeton Gazeta Express.
Dyshohet se burri 55-vjeçar i shënjestroi viktimat duke ua marrë të dhënat personale në mënyrë ilegale dhe duke përdorur leje të rreme të vozitjes për të tërhequr para nga llogaritë e tyre bankare.
“Fillimisht e identifikuam këtë aktivitet mashtrues dhe menjëherë i informuam klientët dhe organet për zbatimin e ligjit. Gjatë hetimeve, ne ofruam përkrahje dhe bashkëpunim që në fund solli kapjen e këtij të dyshuari”, tha një zëdhënëse e sistemit të pagesave që përdoret nga kazinot.
Colletti përballet me akuzat për mashtrim, vjedhje të identitetit dhe mashtrim në lidhje me pajisjet për qasje. Ai është në ndalim dhe pritet të dalë para gjykatës më 30 korrik.
Hetimet filluan kur rojet e kazinoeve identifikuan së paku dhjetë viktima të vjedhjes së identitetit, të cilët së bashku kishin humbur rreth 98 mijë dollarë në prill dhe maj të vitit të kaluar.