Fjalë Kyçe

I mbijetuari i aksidentit rrëfen pamjet e llahtarshme: pasagjerë të vrarë dhe të plagosur, me gjymtyrë të këputura

I mbijetuari i aksidentit rrëfen pamjet e llahtarshme: pasagjerë të vrarë dhe të plagosur, me gjymtyrë të këputura

Një pasagjer i autobusit që u përmbys afër Slavonski Brod këtë mëngjes, ka përshkruar një moment tronditës të aksidentit para kamerave të televizionit të Kroacisë – HTV. Pasagjeri Ramo Gashi tregoi se si dukeshin momentet e para pas aksidentit.

“Kur diçka shpërtheu në një sekondë, pashë të gjithë ata njerëz, të gjithë livadhin, atje poshtë, atë kanal pranë autostradës,” tha ai, duke përshkruar pamjen e tmerrshme që pa.

“Unë pashë të plagosurit, të vdekurit, pashë gjithçka, pa duar, pashë gjithçka, pashë gjithçka”, tha Ramo Gashi, një nga udhëtarët e autobusit për HTV.

Ndryshe, mëngjesin e së dielës ka ndodhur një aksident trafiku në Kroaci ku është përfshirë një autobus nga Kosova. Mediat kroate raportojnë për 10 të vdekur dhe dhjetëra të lënduar. Ndërsa dyshimet e para janë se për një moment shoferin e autobusit e kishte zënë gjumi.

Ndërkohë që nga kompania “Deva Torus” autobusi i të cilit është aksidentuar kanë treguar për KosovaPress se aksidenti ka ndodhur, por që kanë thënë se nuk kanë informata të sakta lidhur me numrin e të vdekurve dhe të lënduarve.

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shpallur të hënë ditë zie shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë.

Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë.

Për në Kroaci tashmë ka marrë rrugë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e qeverisë.