Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Ramadan Selimit, vëllait të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, për sulm ndaj zyrtarit policor.
Në një përgjigje për Insajderin, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se aktakuza ndaj Ramadan Selimit për “sulm ndaj personit zyrtar” është ngritur më 10 tetor të vitit të kaluar.
“Më 15.03.2018, prokurori i çështjes ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve, kurse me 10.09.2018, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit të cekur më lartë, në drejtim të veprës penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’ nga neni 410, par. 2 lidhur me par. 1 dhe neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
“Prokurori i çështjes, në aktakuzë i ka propozuar Gjykatës Themelore të Prishtinës, që i pandehuri R.S., të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, ka njoftuar Prokuroria.
Më 2 mars të vitit të kaluar, vëllai i deputetit Selimi ishte shoqëruar në stacionin policor në Prishtinë nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarit policor.
Siç kishin raportuar mediet, ngjarja kishte ndodhur derisa policia e kishte ndalur veturën të cilën po e ngiste Ramadan Selimi për kundërvajtje në trafik.
Dyshohet se Selimi nuk i kishte përfillur urdhrat e policit dhe e kishte sulmuar atë fizikisht.