Fjalë Kyçe

I vjen fundi pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime, MPB pret t’i kthehet normalitetit në nëntor

I vjen fundi pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime, MPB pret t’i kthehet normalitetit në nëntor

Pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me letërnjoftime në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Prishtinë i ka ardhur fundi.

Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, MPB-ja ka bërë të ditur se kontrata për furnizim me letërnjoftime është nënshkruar.

“Ju njoftojmë se kontrata për furnizim me letërnjoftime dhe pasaporta është nënshkruar”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

MPB-ja ka thënë për Gazetën Reporteri.net se furnizimi me një sasi të letërnjoftimeve është bërë dhe nga muaji nëntor pritet që t’i kthehet normalitetit.

“Pas nënshkrimit të kontratës ne jemi furnizuar me një sasi të letërnjoftimeve dhe pasaportave dhe presim që në muajin nëntor të kemi rikthim në normalitet”, ka bërë të ditur MPB-ja.

Mungesa e materialit për prodhimin e letërnjoftimeve u ka krijuar qytetarëve pritje me muaj.

Shkak i mungesës së materialit, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim që të gjithë shtetasve të Kosovës, pavarësisht afatit të skadimit të letërnjoftimit, dokumenti identifikues t’iu konsiderohet i vlefshëm edhe për gjashtë muaj.